Rama “habitet” me 30 këshilltarët e UKT-së:

Po kush e ka drejtuar këtë cirk, o Kryeministër?

Nga: redaksia Publik.al

Kryeministri Edi Rama, në një tjetër shfaqje teatrale me kryebashkiakët, u shpreh “i befasuar” nga fakti se njëri nga drejtorët e UKT-së Tiranë mbante plot 30 këshilltarë në zyrë. Ai tha me ton kritik se edhe zyra e tij nuk ka aq staf. Me pak fjalë, Edi Rama po denoncon… vetveten.

Po kush e vuri këtë drejtor në krye të Ujësjellësit të Tiranës? Kush e la të qetë për vite të tëra të ndërtonte perandorinë e tij klienteliste në një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme publike? Erion Veliaj.

E tani që SPAK ka nisur të çmontojë mekanizmin mafioz të tenderave në Bashkinë e Tiranës, Rama kujtohet të flasë për 30 këshilltarë, sikur ra nga marsi.

Kush është drejtori me 30 këshilltarë?

Fjala është për Elton Kacidhjen, një nga njerëzit më të besuar të Erion Veliajt, që për vite drejtoi UKT-në, dhe që sot është nën hetim nga SPAK për lidhje të dyshimta me kompaninë famëkeqe “5D Konstruksion”, që ka përfituar miliona euro nga tenderat publikë të Bashkisë Tiranë.

Në dosjen hetimore të SPAK, emri i Kacidhjes del në komunikime direkte me biznesmenin Nestor Muhametllari – një tjetër figurë kyçe në këtë skemë, ndërkohë që pronarët realë të “5D”-s sipas SPAK janë Redi Molla dhe Mariglen Qato, të dy gjithashtu drejtues të UKT-së dhe njerëz të afërt të Veliajt.

Pra, 30 këshilltarët nuk ishin për të shpërndarë ujë, por për të shpërndarë faturat fiktive, për të ndarë tendera, dhe për të mbrojtur interesat e një grupi që ka trajtuar UKT-në si pronë private.

A nuk e dinte Rama për këtë?

Sot Rama bën sikur nuk dinte gjë. Bën rolin e budallait të mençur, që vetëm pasi sheh gërmadhat, kujtohet të thotë: “Duhet reformë”.

Por kjo nuk është reformë. Kjo është mbulim me batanije propagandistike për një skandal që e ka zanafillën pikërisht në modelin politik që ka ngritur Edi Rama dhe që e ka mishëruar më së miri Erion Veliaj: punësim klientelist, tendera me paracaktim, dhe kapje e plotë e çdo institucioni lokal.

Kush është “operatori kombëtar” që na premton Rama?

Për të larë duart nga turpi, Rama na premton tashmë një Operator Kombëtar të Ujit, sikur ky është ilaçi magjik që do na shpëtojë nga korrupsioni. Por çdo shqiptar e kupton se ky është thjesht një centralizim më i thellë i pushtetit, që nuk ka për të luftuar abuzimin, por vetëm për ta mbuluar më mirë atë.

Nëse nuk ndëshkohen ata që e kthyen UKT-në në një zyrë punësimi për militantë dhe mjet plaçkitjeje për kompani fantazmë, atëherë edhe 100 operatorë kombëtarë të krijosh, uji do të vazhdojë të rrjedhë – por jo në çezmat e qytetarëve, por në xhepat e të njëjtëve njerëz.

A është Kacidhja i Veliajt?

Përgjigjja është PO. Dhe këtë nuk e zbuluam sot. E ka ditur Rama, e ka ditur Veliaj, dhe e kanë heshtur për vite.

Prandaj, Kryeministër, më mirë mos bëj sikur nuk di, sepse ke qenë bërthama e këtij sistemi, jo viktimë e tij.

Publikuar nga Publik Media