Media hesht, Rama shitet si vizionar
Asnjë nga mediat pranë qeverisë nuk ka raportuar sot lajmin për një zhvillim me peshë: ardhjen në Shqipëri të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, për të konkretizuar një investim në ishullin e Sazanit. Ky lajm i madh, që në çdo vend tjetër do të trondiste median, këtu kalon në heshtje totale, sepse nuk duhet prishur “piktura e bukur” e një marrëveshjeje që i hap Ramës derën për një foto me Trump-in, në samitin e NATO-s në fund të këtij muaji.
Pas një sërë takimesh të mbajtura jashtë vëmendjes mediatike, Jared Kushner ish-këshilltar i Trump dhe një nga njerëzit më të afërt të tij ka ardhur në Shqipëri për të finalizuar një projekt turistik gjigant në Sazan. I gjithë procesi është zhvilluar me një shpejtësi të pazakontë për standardet shqiptare dhe thuajse pa asnjë transparencë publike.
Në plan të parë, ky prezantohet si një investim strategjik dhe vizionar. Por në prapaskenë, qëllimi kryesor është fare i qartë: Edi Rama kërkon një takim me Donald Trump në samitin e NATO-s në fund të qershorit. Dhe marrëveshja për Sazanin i jep atij biletën hyrëse për këtë foto.
Sazani për “like” diplomatike
Në thelb, kemi të bëjmë me një shkëmbim të pastër politik: jepet një pjesë strategjike e territorit shqiptar një ishull me vlerë historike dhe ushtarake në këmbim të kredibilitetit ndërkombëtar të Ramës, përmes një fotoje me një nga figurat më të përfolura në politikën globale.
Ky nuk është investim për të mirën publike, por kapitullim i sovranitetit për imazh personal. Dhe për ta ambalazhuar më bukur, mediat e kontrolluara nga qeveria nuk japin asnjë detaj, asnjë emër, asnjë kritikë. Gjithçka shitet si “takim vizionarësh”.
A do e rrëzojnë ndërkombëtarët Edi Ramën?
Ky zhvillim është një mesazh i qartë për çdo shqiptar që pret që “të huajt” ta rrëzojnë Ramën: harrojeni. Ai luan mjeshtërisht në tryezat ndërkombëtare, duke përdorur pushtetin e brendshëm për të dhuruar territor, energji, pasuri, e çdo burim që mund të sjellë mbështetje diplomatike dhe imunitet politik.
Ndaj, sa kohë që ne heshtim, ai vazhdon të shesë Shqipërinë për klikime, për duartrokitje, për pushtet. E këtë nuk ia fal dot as historia, as brezat që do ta trashëgojnë këtë vend.