E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama i refuzon dy leje ndërtimi Gent Sulës së “Kodrës së Diellit”
Denoncime

Rama i refuzon dy leje ndërtimi Gent Sulës së “Kodrës së Diellit”

Pas arrestimit të Veliajt, rrëzohen dy projektet ndërtimore të mikut të tij, Gentian Sula

Vetëm pak ditë pasi Erion Veliaj u arrestua për korrupsion dhe fshehje pasurie, dy kërkesa për leje ndërtimi të biznesmenit Gentian Sula — mik i ngushtë i Veliajt — u refuzuan nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Më 27 shkurt 2025, KKT rrëzoi kërkesën e shoqërisë “S&D Invest” për ndërtimin e një godine 10-katëshe në Tiranë dhe të një kompleksi vilash në Sarandë. Vendimet u firmosën personalisht nga Rama, ndërsa asnjëra prej tyre nuk përmban arsyetim për refuzimin.

Dy refuzime në të njëjtën ditë, në dy qytete të ndryshme, për të njëjtin pronar — vetëm pak javë pas arrestimit të Veliajt — shtojnë dyshimet për një “shkëputje” të qëllimshme nga rrethi i tij.

Gentian Sula, i përfshirë në dosjen penale të Veliajt

Biznesmeni Sula ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”, i dyshuar për “korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë”, në kuadër të dosjes që hetohet nga SPAK ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Sipas SPAK, Sula dhe Veliaj janë miq të vjetër që prej vitit 2004 dhe kanë udhëtuar disa herë së bashku me charter jashtë vendit. Kur Veliaj ishte ministër i Punës, bashkëshortja e Sulës u emërua zv.ministre.

Hetimi tregon se kompania “Agi Kons” e Gentian Sulës ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që në këmbim, çifti Veliaj-Xoxa ka përdorur në mënyrë të fshehtë një vilë luksoze në “Marea Resort”, Qerret.

Edhe pse vila nuk është regjistruar në emrin e kryebashkiakut, SPAK ka siguruar prova të forta se ajo është përdorur në mënyrë të përhershme nga Veliaj dhe familjarët e tij. Më e rëndësishmja: kompania “S&D Invest”, pronë e Sulës, ka deklaruar vetë në Tatime se Erion Veliaj ishte blerës i dy vilave në vitet 2020–2021 — një fakt që SPAK e përdor si provë kyçe për fshehje pasurie.

 Thelbi i akuzës,  është fakti se vila në Qerret rezulton të jetë ende sot pronë e kompanisë Agi Kons, ndërkohë që prej vitesh përdorej nga Erjon Veliaj, Ajola Xoxa dhe Valbona Xoxa, në mënyrë që të mos deklarohet në ILDKP

Në 27 Shkurt 2025, vetëm pak ditë pas kryeministri Edi Rama mori “de facto” drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e shefit të qeverisë, i refuzoi dy kërkesa për leje ndërtimi shoqërisë “S&D Invest” shpk në pronësi të Sulës.

Me vendimin nr. 44, dt. 27 Shkurt 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit refuzoi kërkesën e shoqërisë “S&D Invest” shpk për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 4, 6, 8 dhe 10 kate mbi tokë me 2 kate nëntokë në Bashkinë e Tiranës”. Vendimi I zbardhur së fundmi nuk jep arsyet e refuzimit.

Në foto: KKT refuzon kërkesën e “S&D Invest” për godinë 10-katëshe në Tiranë

Në të njëjtën ditë, pra në 27 Shkurt të këtij viti, Edi Rama nënshkruan vendimin nr. 52 të Këshillit Kombëtar të Territorit për refuzimin e lejes së ndërtimit për objektin “Kompleks banimi dhe hoteleri me struktura 1, 2, 3 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë”.

Kjo leje ishte kërkuar sërish nga shoqëria “S&D” shpk, në pronësi të biznesmenit Gentian Sula.

Në foto: KKT refuzon kërkesën e “S&D Invest” për kompleks vilash në Sarandë

Ligjërisht, KKT nuk është noter i kërkesave për leje ndërtimi dhe e ka hapësirën për t’i refuzuar ato nëse nuk janë në përputhje me kriteret ose planet vendore të qyteteve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.