E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama i shton 4 milionë euro kamatë  Lulzim Bashës
Lajme

Rama i shton 4 milionë euro kamatë Lulzim Bashës

Rama refuzon zbatimin e vendimit të Strasburgut: 13.4 milionë euro dëmshpërblim, 4 milionë euro kamatë !

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar hapur se nuk do të zbatojë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjen “Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, një vendim që i ka kushtuar tashmë taksapaguesve shqiptarë mbi 17 milionë euro  përfshirë edhe kamatëvonesat që rriten çdo ditë.

Në një bashkëbisedim virtual në rrjetet sociale, Rama u shpreh me krenari se “nuk është paguar asnjë qindarkë” për këtë rast, duke shtuar se “sa të jem unë këtu, nuk do ndodhë, le t’i japë vetes Luli kur të vijë në pushtet”, duke iu referuar Lulzim Bashës, pasi mes përfituesve të vendimit është edhe vjehrri i tij.

Por çfarë nuk tha Rama?

Vendimi i Strasburgut është 

përfundimtar dhe detyrues

Pallati Jon i prishur në Vlorë

Gjykata e Strasburgut vendosi në vitin 2018 që qeveria shqiptare duhet të dëmshpërblejë pronarët e kompleksit “Jon” në Vlorë  një ndërtesë e cila u shemb me eksploziv në vitin 2013 për t’i hapur rrugë projektit të Lungomares, pavarësisht se ekzistonte një urdhër i përkohshëm gjykate që ndalonte ndërhyrjet në pronë.

Kosto totale e dëmshpërblimit është 13.4 milionë euro, ndërsa për shkak të moszbatimit të vendimit, Shqipëria ka akumuluar edhe 3.967.000 euro kamatëvonesa deri në mars 2025, sipas Këshillit të Evropës.

Komiteti i Ministrave i KiE paralajmëron masa të detyrueshme

Në një vendim të muajit mars, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës shprehu “shqetësim serioz” për këtë rast dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të përmbushë detyrimin financiar deri në dhjetor 2025, përndryshe “mund të ndërmerren masa të reja detyruese” në mbledhjen e 1545-të të Komitetit.

Juristët: Rama nuk ka asnjë të drejtë

“Qeveria s’ka asnjë të drejtë të kundërshtojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut,”  deklaroi  juristi Roden Hoxha, ish-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë kësaj gjykate. Ai shton se deklaratat publike të Ramës nuk kanë vlerë ligjore dhe zvarritja e pagesës do t’i kushtojë edhe më shumë shqiptarëve.

“Sa më shumë shtyhet pagesa, aq më shumë rritet fatura që do e përfitojnë pasardhësit si një depozitë që maturon me norma të larta,” – theksoi ai.

Shembje politike me faturë të përjetshme

Pallati “Jon” u shemb për të realizuar një projekt propagandistik të qeverisë, ndërkohë që qeveria e justifikoi moszbatimin e vendimit të Strasburgut për vite me radhë me “gjendjen e fatkeqësisë natyrore” nga tërmeti dhe pandemia.

Por realiteti është i qartë: refuzimi i qëllimshëm për të ekzekutuar një vendim ndërkombëtar, vetëm sepse ndër përfituesit është vjehrri i një kundërshtari politik, është shpërdorim detyre, shkelje e rëndë e konventave ndërkombëtare dhe një faturë që shqiptarët do e paguajnë edhe për dekada.

Qeveria hesht, por koha nuk ndalet

Qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për këtë rast deri në publikimin e këtij lajmi, duke lënë në heshtje një barrë që rëndon përditë më shumë mbi buxhetin e shtetit dhe mbi imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.