Rama krekoset me dy medaljet Olimpike nga të huajt Valiev e Dudaev
Naim Noka
Kujt do t’i kishte shkuar mendja se Shqipëria, vendi i shqipeve dhe i talenteve të lindura për sport, do të krekosej në podiumin olimpik… falë dy sportistëve të huaj? Po, po, nuk është shaka! Kryeministri Edi Rama, me një krenari që mund ta kishte zili gjeli më i mirë i Frances në mes të oborrit, ka përfituar nga ky moment historik për të treguar një herë e mirë se hudhra shqiptare jo vetëm që largon syrin e keq, por i sjell edhe medalje olimpike.
“Ja dhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë!” shkruan Rama me entuziazëm në Facebook, duke shpërndarë foto të Islam Dudaev që valëvit flamurin shqiptar pas fitores së tij të bronztë. Rama, me një gjysmë buzëqeshje ironike, i çarmatosi të gjithë skeptikët që gëlojnë buzë kënetave të kritikës me një thirrje triumfatori: “Kush nuk di të gëzohet, le të pijë një gotë raki me hudhër, ndoshta i vjen mendja!”
Epo, ja që sporti është sport, dhe kushdo që vesh fanellën kuqezi, qoftë ai Ymer Pampuri në vitin 1972 apo Chermen Valiev e Islam Dudaev sot, meriton të nderohet me gjithë zemër. Rama që ka mbajtur kapele nuk ka si të ketë mizë nën kësulë. Rama duhet kujtuar se suksesi i Shqipërisë nuk është më i vështirë për t’u falur se një thes me flori. Eurot, floririn dhe pasuritë e vendit të shqipeve ose po i fal ose i ke falur. Mes varfërisë dhe triumfit të një grushti hajdutësh sigurisht qytetarët dhe votuesit e tu i gëzohen edhe suksesit në Olimpiadë të dy të huajve : Chermen Valiev e Islam Dudaev. Gëzimi do të ishte qindfish nëse dy fituesit do të ishin dy shqiptarë.
Por le ti gëzohemi medaljeve dhe flamurit kuqezi në Paris dhe ta shpëtojmë këtë moment të gëzuar olimpik nga tallavaja politiko-medatike e hudhrës kryeministrore.
I dashur kryeministër ti ke të drejtën e zotit, që të vazhdosh e të krekosesh për medaljet e dy të huajve, apo sukseset e miliona turistëve që po ‘pushtojnë’ vendin e shqipeve, ndërsa hudhra shqiptare le të mbetet aleati më i fuqishëm në betejën kundër syrit të keq… dhe ndoshta, ndoshta një ditë, do të jetë vetë Shqipëria që do të fitojë medaljet, jo vetëm përmes “importit” sportiv. Fidelët e partisë që krenohen me mundësit rusë dhe çeçenë të kursejnë pak euro që vjedhin nga fondet e sportit dhe të blejnë minimumi një flamur “Made in Albania” jo imitim kinez sepse, nëse medaljet janë nga rusi dhe çeçeni, krenaria duhet të mbetet shqiptare.
Meqë edhe të dielën e nxore mizën nën kapelen turistike nga vila e Dhërmiut, le të gëzohemi për medaljet historike me një teke raki Vunoi! Gëzuar!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



