Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e PS-së te “Vila e Kuqe”
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, pritet të zhvillojë këtë të mërkurë një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të kësaj force.
Mbledhja është parashikuar të nisë rreth orës 13:00 dhe, sipas informacioneve paraprake, do të zhvillohet në “Vilën e Kuqe” në Tiranë.
Takimi vjen vetëm rreth një javë pas mbledhjes së mëparshme të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, ku diskutimet u përqendruan te nisja e sezonit të ri politik dhe organizimi i angazhimeve të ardhshme të socialistëve.
Në atë takim u diskutua edhe për kalendarizimin e nismës “Prania Besnike” në territore, ndërsa një tjetër çështje në fokus ishte hartimi i ndryshimeve ligjore për “PasqyrAlbania”.
Në kuadër të përgatitjeve për periudhën e ardhshme politike, Rama ka zhvilluar më herët takime edhe në Pogradec, ku janë diskutuar angazhimet dhe organizimi politik i Partisë Socialiste.
Gara për Bashkinë e Tiranës, përplasje emrash në PS
Paralelisht me organizimin e strukturave për sezonin e ri politik, në Partinë Socialiste ka nisur edhe diskutimi për kandidaturën e kësaj force për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2027.
Në qarkullim janë disa emra, ndërsa një prej tyre është Ogerta Manastirliu, e cila u propozua nga Edi Rama në shtator të vitit të kaluar si një prej figurave që mund të garonte për drejtimin e kryeqytetit.
Por gara brenda socialistëve duket se nuk do të jetë e kufizuar vetëm te Manastirliu.
Së fundmi, është vetëofruar edhe deputeti socialist Erion Braçe, duke e bërë më të hapur diskutimin brenda Partisë Socialiste për personin që do të përfaqësojë forcën qeverisëse në garën për Bashkinë e Tiranës në vitin 2027.
Takimi i sotëm i Ramës me ministrat dhe drejtuesit politikë pritet të japë më shumë sinjale mbi organizimin e PS-së për periudhën në vijim, ndërsa gara për Tiranën pritet të jetë një prej çështjeve politike që do të marrë gjithnjë e më shumë vëmendje brenda socialistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



