E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama në Romë me Melonin, kush përfiton më shumë nga ‘miqësia’ e re?
Lajme

Rama në Romë me Melonin, kush përfiton më shumë nga ‘miqësia’ e re?

Shqipëria dhe Italia zhvillojnë sot në Romë Samitin e parë historik ndërqeveritar, një ngjarje që pritet të vulosë një fazë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në krye të tryezës do të jenë Giorgia Meloni dhe Edi Rama, ndërsa në fokus janë tri çështje kyçe: mbrojtja, industria dhe emigrantët.

Takimi do të mbahet në Villa Pamphili, rezidenca e njohur ku Italia pret personalitetet më të larta ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë italiane, mbledhja nis në orën 11:30 të së enjtes, dhe do të shërbejë për të “vulosur” bashkëpunimin strategjik midis Tiranës dhe Romës.

“Formiche”: Italia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në Mesdhe

Gazeta italiane “Formiche” shkruan se, edhe pse Italia ka qenë historikisht një nga aleatët më të afërt të Shqipërisë, asnjëherë më parë nuk ishte mbajtur një samit i tillë mes dy qeverive.

Sipas artikullit, takimi Meloni–Rama e përmbys traditën dhe e vendos marrëdhënien dypalëshe në një tjetër nivel.
Tirana, që ndodhet ende në rrugën drejt anëtarësimit në BE, po shihet nga Roma si një partner strategjik për sigurinë, energjinë dhe menaxhimin e emigracionit.

Çfarë pritet të nënshkruhet në Romë

Burime diplomatike konfirmojnë se gjatë samitit do të dakordësohen disa marrëveshje të mëdha që prekin fusha kyçe:

  • Mbrojtja dhe siguria – Italia do të ndihmojë Shqipërinë me teknologji dhe pajisje ushtarake, përfshirë ndërtimin e një infrastrukture detare për mirëmbajtjen e anijeve.

  • Energjia – Po zgjerohet projekti trepalësh Itali–Shqipëri–Emirate të Bashkuara Arabe për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe lidhjen nëpërmjet një kablli nëndetar mes dy vendeve.

  • Migracioni – Do të krijohet një grup i përbashkët pune për luftën ndaj emigracionit të parregullt dhe për forcimin e patrullave detare shqiptare.

Nga shëndetësia te ekonomia: Roma “zbret” në Tiranë

Në sektorin e shëndetësisë, Italia do të financojë ngritjen e një departamenti të ri neonatologjik në spitalin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Ndërkohë, pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje që njeh Cassa Depositi e Prestiti si institucion financiar zhvillimi në Shqipëri — një hap që mund të çojë drejt krijimit të Bankës së re Shqiptare të Zhvillimit.

Një tjetër projekt interesant është qendra tregtare “ExpoAlbania”, që do të ndërtohet në Tiranë për panaire dhe promovim biznesesh mes dy vendeve.

Italia shtyn Shqipërinë drejt BE-së

Roma pritet të riafirmojë mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Shqipërisë, duke ofruar asistencë teknike dhe trajnime profesionale në sektorë të ndryshëm.
Sipas analizës së “Formiche”, ky është një “angazhim i thellë që shkon përtej premtimeve politike”.

Një Adriatik me dy anë, por një interes të përbashkët

Ky samit, i pari në historinë e dy qeverive, shihet si vazhdim i natyrshëm i marrëdhënieve të ngushta që datojnë që nga Traktati i Miqësisë i vitit 1995 e deri te marrëveshja për emigrantët e nënshkruar në nëntor 2023.

Në fund të ditës, mbetet për t’u parë nëse ky bashkëpunim do të prodhojë rezultate konkrete, apo do të mbetet vetëm një tjetër foto në Villa Pamphili.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.