RAMA NGA VLORA: “JO 5 MIJË, POR 500 MIJË TË DILNI, NUK iki

VLORË – Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Vlorën për t’iu përgjigjur flakë për flakë protestuesve që prej 6 ditësh kanë bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e tij. Nga një takim me banorët e Zvërnecit, kreu i qeverisë preu shkurt çdo diskutim për largim, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet edhe nëse numri i protestuesve dhjetëfishohet.
Në fjalën e tij, Rama përdori si mburojë legjitimitetin e votave të marra në zgjedhje, duke u kujtuar organizatorëve të protestës se qeveria e tij ka një kontratë zyrtare me shumicën e shqiptarëve.
“Jo 5 mijë vetë, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë. Janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS,” u shpreh prerë Kryeministri.
“Duan paga si në Manhattan” – Rama ironizon protestuesit
Gjatë bashkëbisedimit, Rama nuk i kursye ironitë ndaj kërkesave të protestuesve, duke u ndalur specifikisht te pretendimet për standardin e jetesës dhe pagat në vend. Ai bëri një krahasim me rajonin dhe me Greqinë fqinje, duke pretenduar se sektori i turizmit në Shqipëri tashmë ofron pagesa dinjitoze.
Ironia për pagat: “Nuk e di çfarë duan këta. Pagat në sistemin e turizmit tonë janë si në Greqi, ose më shumë si në Greqi. Këta që kanë dalë të protestojnë i duan pagat si në Amerikë mbase, i duan si në Manhattan.”
Tregu i punës: Sipas Ramës, problemi sot nuk është niveli i pagave, por mungesa e krahut të punës. “Këtu nuk është: ‘Sa të të jap?’. Këtu është: ‘Hajde të punosh’,” shtoi ai.
Shembulli i Malit të Zi dhe pronat në Zvërnec
Kreu i qeverisë tregoi se sapo ishte kthyer nga një vizitë në Tivat të Malit të Zi, duke e marrë atë si shembull suksesi se si një ish-bazë ushtarake u kthye në motor turizmi, njësoj siç synohet të bëhet me investimet strategjike në bregdetin shqiptar.
Ndërkohë, sa i përket shqetësimeve të banorëve të Zvërnecit për konfliktet e pronësisë, Rama mbajti një qëndrim të prerë duke prerë çdo rrugë për zgjidhje politike apo administrative: ai u kërkoi atyre që çdo mosmarrëveshje ta zgjidhin vetëm përmes rrugës gjyqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



