Rama sfidon vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut
Juristët dhe ekspertët rrëzojnë pretendimet e tij
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të sfidojë vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke e cilësuar atë “një akt brutal ndërhyrjeje në Pushtetin Ekzekutiv”. Por juristët, ekspertët e drejtësisë dhe analistët e politikës e konsiderojnë këtë reagim të Ramës pa bazë ligjore, antikushtetues dhe të rrezikshëm për demokracinë.
Nga redaksia Publik.al
Në një deklaratë publike, Edi Rama njoftoi se do ta ankimojë vendimin e GJKKO-së në Gjykatën Kushtetuese, duke e paraqitur atë si rast unik në Europë. Vendimi i GJKKO-së, i marrë dy ditë më parë, pezulloi Ballukun për akuzat e shkeljes së barazisë në tendera në të paktën dy procedura, ndërkohë që hetimet ndaj saj vijojnë.
Juristi Jordan Daci sqaron se ankimi është një e drejtë ligjore e kryeministrit, por vendimi i GJKKO-së e kalon “testin kushtetues”. Ai sjell në kujtesë rastin e Sali Berishës, i cili humbi betejën në Gjykatën Kushtetuese kur kundërshtoi masën “detyrim paraqitje”.
Sipas Dacit:
“Nuk ka bazë kushtetuese për të pretenduar një mbrojtje më të lartë për ministrat sesa për deputetët. Gjykata e ka legjitimuar vendosjen e masave kufizuese ndaj të zgjedhurve, aq më tepër ndaj të emëruarve.”
Ai pranon se çështja prek balancën e pushteteve, por thekson se vendimi i GJKKO-së nuk është i paligjshëm dhe nuk krijon precedent negativ.
Serjani: “Vendimi është 100% brenda Kushtetutës – Pretendimet e Ramës nuk qëndrojnë”
Avokati Gentian Serjani është edhe më kategorik: masa e pezullimit është tërësisht e mbështetur në nenin 135 të Kushtetutës dhe nenet 233 e 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Ai sqaron se Balluku nuk gëzon statusin e një “personi të zgjedhur” që mbrohet nga masa të tilla:
“Detyrat e zv.ministres dhe ministres burojnë nga emërimi i Kryeministrit, jo nga vota e qytetarëve. Prandaj nuk mund të përdoret kjo normë si mburojë për të shmangur vendimin.”
Serjani ironizon edhe pretendimin e Ramës se qeveria ka mbetur pa zv.kryeministër:
“Kryeministri mund të caktojë menjëherë një zëvendësim. Nëse GJKKO do të jepte masë arresti për znj. Balluku, a do ta kundërshtonte z. Rama zbatimin e vendimit?”
Bardhi: “Rama është zyrtarisht avokati i një të pandehure për abuzime me tendera”
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi Ramën se po përpiqet të sfidojë drejtësinë për të mbrojtur një të pandehur që akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publikë.
“Në vend që të mbrojë interesat e shqiptarëve, kryeministri është kthyer në avokat të një të pandehure. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor,” – tha Bardhi.
Ekspertët politikë: Rasti nuk është unik Rama bie ndesh me standardet europiane
Duke rrëzuar tezën e Ramës për një rast “unik në Europë”, analisti politik Afrim Krasniqi sjell në vëmendje raste të shumta ndërkombëtare ku zyrtarë të lartë janë pezulluar me vendim gjykate.
Sipas tij, deklaratat e Ramës krijojnë kulturë mosrespektimi ndaj vendimeve të drejtësisë:
“Dorëheqja e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion është standard europian. Refuzimi i dorëheqjes, përdorimi i pushtetit kundër drejtësisë dhe moszbatimi i vendimit kanë pasoja të rënda për shtetin.”
Krasniqi paralajmëron se qasja e Ramës i jep qeverisë një pozicion “jo kushtetues”.
Beqiraj: Rasti unik është që një ministër i pandehur dy herë nuk jep dorëheqje
Edhe Irena Beqiraj, ish-zv.ministre në qeverinë Rama, e kthen sërish mbi kryeministrin akuzën e “unikalitetit”:
“Rasti unik është që një ministër dhe zv/kryeministër të merret i pandehur dy herë për të njëjtën vepër dhe të mos japë dorëheqje, duke u mbrojtur politikisht.”
Reforma në drejtësi u krijua pikërisht për raste të tilla
Juristi Serjani përmbyll analizën duke i kujtuar Ramës se reforma në drejtësi, që qeveria e tij e ka promovuar si arritje kombëtare, synonte pikërisisht fundin e epokës së zyrtarëve të paprekshëm:
“Nëse duam t’i qëndrojmë besnikë reformës, duhet të pranojmë edhe vendime si ky.”
Vendimi i GJKKO-së nuk është as antikushtetues, as unik, as ndërhyrje në ekzekutiv. Përkundrazi, juristët dhe ekspertët e quajnë zbatim të drejtë të ligjit dhe shembull të funksionimit të drejtësisë së re. Sfida publike e kryeministrit ndaj këtij vendimi shihet si një sinjal i rrezikshëm për pavarësinë e drejtësisë dhe një precedent i dëmshëm për demokracinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



