Rama u jep leje për kulla hoxhallarëve dhe priftërinjëve
Kulla të reja nën petkun e bamirësisë e fesë
Tirana po shndërrohet në skenën e një etjeje të re për kulla, ku nuk mungojnë as figura fetare dhe fondacione bamirësie. Përtej trafikut të kokainës, oligarkëve e bosëve të call-centrave, sot në garën për leje ndërtimi kanë hyrë edhe hoxhallarë e priftërinj, duke përdorur fonde donacionesh për projekte gjigante.
Lejet e dhëna nga KKTU
Në mbledhjen e 17 dhjetorit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi një sërë lejesh ndërtimi, mes tyre edhe një kullë 17-katëshe në Paskuqan. Zhvilluesit janë “Ab Vizion” shpk dhe “Darsi” shpk.
Pronar i “Ab Vizion” është Myftiu i Tiranës Gazment Teqja, njëkohësisht drejtues i Xhamisë së Madhe të Namazgjasë. Kompania, e themeluar në vitin 2022 me kapital vetëm 1 milion lekë, rezulton me bilance të brishta për një projekt të tillë. Teqja e bleu në shkurt 2024 dhe, vetëm në dhjetor, mori lejen për ndërtim. Edhe “Darsi” shpk ka të ardhura modeste për të mbështetur një kulle të këtij niveli.
Fondacione që ngjiten në qiell
Në mbledhjen e 26 qershorit 2025, KKTU miratoi edhe 40 leje të tjera, përfshirë një godinë banimi e shërbimi me 10 kate dhe një kat nëntokë në Tiranë, me zhvillues “Fondacioni Mirënjohja”. Ky fondacion fetar, i financuar nga Kuvajti dhe Emiratet, drejtohet nga
Samed Shehu dhe prej vitesh karakterizohet nga mungesa e transparencës mbi burimin e fondeve.
Një tjetër leje për kullë iu dha Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, për një ndërtesë polifunksionale 2, 5 dhe 10 kate mbi tokë pranë rrugës së Kavajës. Leja u miratua vetëm një muaj pasi
Joan Pelushi mori drejtimin e Kishës, pas largimit të Anastas Janullatos. Pyetjet për nevojën e një ndërtese të tillë mbeten pa përgjigje.
Perandori të padukshme
Ndërkohë, çdo javë dalin detaje të reja mbi perandorinë financiare të
Elvis Naçit, i cili përmes fondacionit familjar “Firdeus” ka ngritur një rrjet kompanish, hotelesh, kompleksesh e pasurish luksoze, nga Evropa deri në SHBA.
Kontrasti mes misionit fetar e bamirësisë dhe etjes për kulla shumëkatëshe e pasuri luksoze ngre pikëpyetje të mëdha: nga burojnë fondet dhe kush është përfituesi i vërtetë i kësaj vale ndërtimore që po pushton Tiranën?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


