Rama:Asgjë e re nga fronti i vjetër…
Edi Rama: Basha mbylli aferën e rrugës Durrës-Kukës me raport mjekësor, Berisha rrënoi vendin për të mbrojtur vajzën dhe djalin, të gjithë para drejtësisë
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur mjaft ashpër Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës, të cilët u bashkuan ditën e djeshme në një front opozitar. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri ka treguar sesi janë mbyllur deri më tani dosjet e mëdha të korrupsionit nga qeveria e PD. Në postimin e tij, Rama ka përmendur rastin e rrugës Durrës-Kukës, ku Basha shpëtoi pa u lagur, ndërkohë që ish-kryeministrit, Sali Berisha i solli në kujtesë fëmijët e tij. “Sot, kur e tërë opozita me kuç e me maç, u zhyt si front në çorbën e dy kriminelëve të arrestuar në Itali, është dita të kujtojmë se në 20 vitet e fundit, ka patur plot raste kur politikanë, deputetë e familjarë të tyre janë përfshirë në akuza publike. Disa herë akuzat kanë dalë të vërteta, shumë herë jo. Por, ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë. Paraardhësi im në qeveri e çoi Shqipërinë buzë greminës vetëm e vetëm për të mbrojtur djalin dhe vajzën e tij. Lideri i sotëm i opozitës përdori një raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit për një akuzë të ngritur nga prokuroria për korrupsion. Por ne nuk jemi të gjithë njësoj”, ka shkruar Rama.
Ironi me frontin opozitar
Më tej, kreu i qeverisë ironizuar mbledhjen e partive opozitare, duke thënë se nga fronti nuk erdhi asgjë e re, ndërsa i ka akuzuar ata se nuk duan drejtësi, por vetëm pushtet për vete. Rama ka bërë edhe një krahasim mes qeverisë së shkuar dhe qeverisë së tij, ku thekson se nuk janë aspak të paprekshëm nga sëmundjet dhe problemet, por të paktën po luftojnë çdo ditë për të bërë shtet. “Asgjë e re nga fronti i vjetër, përveç faktit që sot nuk janë më ca në çadër e ca me çadrën, po janë të gjithë brenda në çadër, me po ato maska që as skuqen as zverdhen kur i marrin shqiptarët për budallenj. Ata s’duan as shtet serioz, as drejtësi të drejtë, as luftë me krimin e me plagët e trashëguara prej pushtetit të tyre të vjetër. Duan vetëm pushtet për vete, në një shtet si ai që na lanë copa e çika katër vjet më parë, me një drejtësi që komandohet prej pushtetit të tyre dhe një ekonomi që rritet vetëm në oborrin e tyre të pushtetit. Ne jemi ndryshe dhe po luftojmë përditë që të bëjmë shtet. Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë, por po marrim përgjegjësi për Shqipërinë”, ka shtuar ai.
Lufta ndaj krimit
Në fund të reagimit, Edi Rama u shpreh i lumtur që partitë opozitare, tashmë të bëra bashkë kundër tij, nuk e cilësojnë më kanabisin si problem aktual, ndërsa premton se lufta e nisur kundër rrjeteve dhe aseteve kriminale do të vazhdojë. Po ashtu, Kryeministri ka cituar se në këtë betejë është bashkë me të gjithë shqiptarët dhe partnerët strategjikë që i shohin gjërat ashtu siç janë dhe se nuk ka vend për t’u dorëzuar. “Ndërkohë na vjen shumë mirë që të mbledhurit në front, nuk e përmendin më kanabisin si problem aktual. Dhe ndryshe nga ata që duan të përdorin muhabetet e kriminelëve, në luftën e tyre të dëshpëruar për pushtet, ne do të vijojmë luftën e nisur tanimë kundër rrjeteve kriminale dhe aseteve të përfituara nga krimi. Në këtë luftë jemi bashkë me shqiptarët e arsyeshëm dhe me partnerët tanë strategjikë, prandaj do ta fitojmë siç fituam luftën e gjatë brenda vetë Policisë së Shtetit, për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë. Por ama ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe kriminelët deri në fund”, ka shkruar Edi Rama
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



