Ramazan Rrajës i gjendet celular, SPAK zbërthen telefonin
Një aparat celular është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në ambientet e IEVP Fushë-Krujë. Sipas burimeve, pajisja dyshohet se përdorej nga i dënuari Ramazan Rraja, i dënuar nga GJKKO në dosjen e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Telefoni është sekuestruar dhe i është dorëzuar SPAK-ut, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës dixhitale. Hetuesit do të analizojnë të dhënat e pajisjes, përfshirë komunikimet, kontaktet, materialet e ruajtura dhe të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e mënyrës se si është përdorur telefoni gjatë qëndrimit në burg.
Kontrollet në IEVP Fushë-Krujë vijojnë, pasi autoritetet dyshojnë se në ambientet e institucionit mund të jenë futur dhe fshehur edhe aparate të tjera celulare.
Në fokus të verifikimeve është edhe mënyra se si telefoni ka përfunduar brenda burgut dhe nëse persona të tjerë kanë ndihmuar në futjen apo përdorimin e tij.
Ramazan Rraja është dënuar nga Gjykata e Posaçme në lidhje me atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, ndërsa Ndoja dhe Laho u plagosën.
Në tetor 2024, GJKKO dënoi Ramazan Rrajën me 6 vite burg. Në të njëjtën çështje u dënuan edhe Genti Ndërjaku me 5.4 vite, Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani me nga 4.8 vite, si dhe Julian Pjetri me 4.4 vite burg.
Ndërkohë, për ekzekutimin e atentatit, Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ariol Halili me 35 vite burg.
Sipas SPAK-ut, grupi kishte nisur që prej gushtit 2019 ndjekjen e Arjan Ndojës dhe Aleksandër Lahos dhe kishte siguruar armë e mjete për realizimin e atentatit.
Ekspertiza e SPAK-ut pritet të përcaktojë nëse celulari i sekuestruar është përdorur realisht nga Ramazan Rraja, me kë ka komunikuar dhe nëse pajisja përmban të dhëna që mund të jenë me interes për hetimin.
Nëse kontrollet zbulojnë edhe aparate të tjera, autoritetet do të verifikojnë nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një problem më të gjerë me futjen dhe përdorimin e pajisjeve të palejuara në burgun e Fushë-Krujës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



