Ramë Ndërtuesi, Tiranë-shkatërruesi dhe SPAK-u që flë
Naim Noka
Tirana, për herë të parë në 34 vjet, po humbet banorë. Jo për shkak të ndonjë katastrofe natyrore apo krize të përkohshme, por për shkak të një katastrofe të qëllimshme: një qeverisje që po e shndërron kryeqytetin shqiptar në një betonishte, të pabanueshme dhe të mbushur me kulla pa shije e pa kuptim. Tirana po zbrazet me 30,000 banorë të larguar në dekadën e fundit, një periudhë që përkon drejtpërdrejt me “triumfin” e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ky është një sinjal alarmant se kryeqyteti nuk është më për qytetarët e tij, por për grykësinë dhe për xhepat e një pakice të lidhur me pushtetin.
Në këtë shpopullim, Rama dhe Veliaj nuk ndalen së betonizuari qytetin, duke justifikuar çdo kullë dhe ndërtesë me pretekstin e rritjes. Por statistikat e INSTAT rrëzojnë çdo iluzion. Të dhënat zyrtare tregojnë qartë se Tirana nuk rritet. Ajo thjesht po zëvendëson qytetarët me betoniere, duke mbushur xhepat e mafies së ndërtimit dhe krimit të organizuar. Kullat që ngrihen janë destinacioni final i kapitaleve të errëta që përkrahësit e Ramës dhe Veliajt kanë arritur të grumbullojnë përmes korrupsionit dhe falsifikimeve.
Një çift i ri në Tiranë duhet të punojë më shumë se 80 vite për të blerë një shtëpi. Kjo është pasqyra e një ekonomie të dështuar, një qytet ku vetëm të korruptuarit dhe mafiozët mund të jetojnë në luks, ndërsa qytetarët e thjeshtë e braktisin në heshtje. Tirana nuk është më për ta. Qyteti është kthyer në strehën e parasë së zezë që pastrohet përmes betonit, një qytet ku korrupsioni shkëlqen nga çdo fasadë xhami, ndërsa nën tokë vlon krimi i organizuar.
Rama dhe Veliaj, dyshja e pandalshme e betonit dhe korrupsionit, i kanë dhënë sipërfaqe të tëra publike në duart e oligarkëve. Sipas investigimeve të fundit, Rama dhe Veliaj, me dokumente të manipuluara, kanë lejuar biznesmenin Armand Lilo të zaptojë pronat publike në rrugën e Kavajës. Por ky është vetëm një shembull. Qindra mijëra metra katrorë tokë publike janë dorëzuar pa ndrojtje dhe pa turp në duart e oligarkëve. Për ta, Tirana nuk është qytet, por një minierë e pashtershme përfitimesh.
Si mundet që SPAK të heshtë përpara kësaj masakre urbane? Si është e mundur që çdo dosje, çdo fakt dhe çdo provë e korrupsionit të qeverisë dhe bashkisë mbeten të paprekura? Përgjigjja është e qartë: Shqipëria po kalbet nga brenda, dhe SPAK është i zhytur në të njëjtin pellg të politikës dhe interesave të errëta.
Një strukturë që duhej të ishte mbrojtësja e qytetarëve, sot është kthyer në spektator të heshtur të krimit që po shkatërron Tiranën.
Në vend që të ndërtojnë për qytetarët, Rama dhe Veliaj po ndërtojnë për një pakicë të privilegjuar. Kjo nuk është më një “zhvillim urban” – është një masakër e pamëshirshme, një fushatë betonizimi që po shkatërron çdo pëllëmbë toke të Tiranës, çdo shenjë historie, çdo hapësirë publike dhe çdo mundësi për një të ardhme të jetueshme.
Ky qytet po vdes. Dhe ndërsa Tirana vuan, dyshja Rama-Veliaj përfiton. Nuk ndërtohet më për qytetarët, për familjet, për të ardhmen. Ndërtohet vetëm për pastrimin e parave dhe për përfitimin e atyre që nuk dinë çfarë do të thotë të jetosh në një qytet me shpirt, një qytet për njerëzit. Ramë Ndërtuesi dhe Tiranë-shkatërruesi nuk kanë turp, por qytetarët nuk duhet të heshtin më.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



