E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Rastësia” e fatit të njëjtë të Veliajt me kryebashkiakun e Stambollit
Lajme

“Rastësia” e fatit të njëjtë të Veliajt me kryebashkiakun e Stambollit

“Imamoglu në Ankara dhe Veliaj në Tiranë, dy miq të afërt, përfundojnë në burg si kërcënim për pushtetin e Erdoganit dhe Ramës, ndërsa autokratët pastrojnë terrenin nga trashëgimtarët politikë…”

Ekrem Imamoglu, kryetar i bashkisë së Stambollit dhe figurë udhëheqëse e opozitës turke, u përball me një arrestim të bujshëm nën akuzat për korrupsion, pak përpara zgjedhjeve presidenciale. Sipas raportimeve të atëhershme, forcat e policisë që rrethuan shtëpinë e tij u panë si pjesë e një goditjeje politike, dhe jo si proces ligjor i mirëfilltë, një veprim që u denoncua gjerësisht nga ndërkombëtarët.

Por cili është konteksti shqiptar?

Sipas Pamfletit, lidhja mes Imamoglu dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk është thjesht personale, por edhe simbolike. Më 30 janar 2024, Veliaj e priti Imamoglun në Tiranë në një takim me ngjyrim politik, që u lexua si një demonstrim force dhe afrimi me linjën perëndimore. Ishte një fotografi me peshë: dy figura të reja që përfaqësonin brezin e ardhshëm të lidershipit në vendet e tyre.

Vetëm pak ditë më pas, më 15 shkurt 2024, në Tiranë mbërriti Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Përveç Ramës, i vetmi personazh tjetër që pati një takim me Blinken ishte pikërisht Veliaj, në një takim simbolik pranë Piramidës, së bashku me Alex Soros. Menjëherë pas kësaj vizite, nisi hetimi zyrtar ndaj Veliajt pas një kallëzimi të bërë nga Nesti Angoni në SPAK.

Një vit më vonë, më 10 shkurt 2025, Erion Veliaj u arrestua në zyrën e tij. Dhe vetëm një muaj pas kësaj ngjarjeje, më 19 mars 2025, Ekrem Imamoglu përfundoi gjithashtu pas hekurave në Turqi.

“Ngjashmëria e ngjarjeve nuk mund të injorohet,” shkruan Pamfleti më tej, duke nënvizuar se në Shqipëri, menjëherë pas takimit me Blinken, Veliaj u sulmua nga mediat pranë Erdoganit dhe aleatët e tyre lokalë, përmes një fushate intensive denigrimi.

Fushata u pasua nga protesta të vogla para Bashkisë, të cilat sipas të njëjtit burim, ishin të orkestruara nga struktura të brendshme të mazhorancës. Më pas, Partia Socialiste nisi përgatitjet për zëvendësimin e Veliajt, duke përmendur emra të afërt me “sulltanin” e Tiranës, siç e përshkruan Pamfleti kryeministrin Rama.

Kjo përplasje e brendshme, vlerësohet nga autori si pjesë e një skeme më të gjerë me ndikim ndërkombëtar. Në analizë përmendet edhe raporti kontradiktor i liderëve perëndimorë me Erdoganin: administrata Biden ruajti një marrëdhënie të tensionuar, ndërkohë që Donald Trump mbante lidhje më të afërta me presidentin turk. Në këtë kuadër, bashkëpunimi Veliaj–Imamoglu u lexua si një bosht pro-perëndimor dhe kundër influencës autoritare në rajon.

“Plani i kundërt u shfaq shpejt: fushata e mediave pro-Erdogan kundër Veliajt, puçi i Ramës brenda PS-së, prishjet e ndërtimeve në Tiranë për ta lënë fajtor ‘Lalin’,”, shkruan më tej Pamfleti, duke sugjeruar se goditja ndaj Veliajt u shoqërua edhe me një spastrim të strukturave të tij politike brenda partisë.

Sipas analizës, Veliaj u etiketua si përgjegjësi kryesor për kryeqytetin e mbushur me ndërtime të paligjshme, një krizë që Rama premton tani ta “rregullojë” vetë.

Ngjashmëria me rastin turk është e frikshme: Imamoglu dhe Veliaj, dy liderë me potencial për të trashëguar pushtetin, u goditën në mënyrë të ngjashme, për shkak të rrezikut që përfaqësonin për stabilitetin autokratik të liderëve në fuqi.

“Në Shqipëri, Rama jo vetëm që e izoloi Veliajn, por me egërsi spastroi gjithë strukturat e tij politike, duke mos lejuar trashëgimi,” thekson Pamfleti.

Tani, Veliaj pritet të nisë kundërsulmin ligjor me një ankim në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij. Sipas Pamfletit, kjo betejë mund të sjellë zhvillime të papritura dhe përplasje të forta politike.

“Beteja që pritet të sjellë përplasje dhe surpriza të forta, në një skenar ku hija e Imamoglut në Stamboll dhe e Veliajt në Tiranë duken si dy faqe të së njëjtës histori,” përmbyllet analiza e Pamfletit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.