Reagimi i fortë nga SHBA, Kongresmeni Republikan ‘shuplakë’ Ramës
“Ndalni dhunën ndaj të rinjve, shqiptarët meritojnë liri”
Kriza e thelluar politike dhe përshkallëzimi i protestave në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresmeni republikan Joe Wilson ka reaguar publikisht për situatën, duke shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit dhe duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve.
Wilson, i cili drejton Komitetin e Helsinkit në Kongresin amerikan, e cilëson shqetësuese përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s. Në mesazhin e tij, ai vë theksin te liritë qytetare, shteti i së drejtës dhe përgjegjshmëria e institucioneve, duke nënvizuar se të rinjtë duhet të kenë mundësinë të shprehen për të ardhmen e vendit.
Reagimi vjen në ditën e pestë të revoltës studentore, në një moment kur protestat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Thirrja e kongresmenit amerikan
Në reagimin e tij, Joe Wilson shkruan:
“Po e ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”.
Mesazhi i kongresmenit republikan e vendos theksin te detyrimi i institucioneve për të garantuar të drejtat e qytetarëve dhe për të shmangur përdorimin e forcës ndaj atyre që protestojnë.
Deklarata merr rëndësi të veçantë në kushtet kur zemërimi i të rinjve është shndërruar në një sfidë të drejtpërdrejtë për qeverinë, ndërsa mënyra se si autoritetet po menaxhojnë protestat është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit publik.
Përtej zhvillimeve në rrugët e Tiranës, thirrja e Wilson rikthen në vëmendje standardet që priten nga një vend anëtar i NATO-s: respektimi i lirive, garantimi i shtetit të së drejtës dhe llogaridhënia institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




