Një vit pas tenderit 7.2 milionë euro të QSUT për furnizimin me ilaçin jetik Daratumumab, skandali mbetet po aq aktual sa atëherë! Shumë para të shpenzuara, pak ose aspak ilaç në pavijon. Procedura e ashtuquajtur “marrëveshje kuadër” prodhoi një “garë” me një ofertues të vetëm, kompaninë Rejsi Farma, në pronësi të Nexhat dhe Merita Sheqit. Kushtet e vendosura, përfshirë kërkesën për xhiro minimale mbi 2.9 milionë euro, dukeshin më shumë si një filtër përjashtues sesa si garanci cilësie, duke ngritur pikëpyetje serioze, a ishte ky një tender apo një kontratë e paracaktuar?
Në letër, kontrata parashikonte furnizim urgjent me 600 ampula menjëherë pas nënshkrimit. Në realitet, pacientët me mielomë multiple vijonin të përballeshin me mungesën e trajtimit, ndërsa çmimi i një flakoni në tregun e lirë arrin deri në 2,000 euro, një barrë e papërballueshme për shumicën. Ndërkohë, procedura nuk parashikoi as afat ankimi për operatorë të tjerë, duke e kthyer procesin në një “zonë të mbyllur”, ku transparenca mbetet thjesht një fjalë në dokumente. Ironia është e hidhur, urgjenca ekziston vetëm në shkresë, jo në jetën e pacientëve.
Para katër javësh Prokuroria e Tiranës hapi hetime ndaj Rejsi Farma, për përfitime abuzive nga skema e rimbursimit dhe për futjen në treg të barnave të skaduara. Një kompani që ka përfituar miliona euro nga tenderë publikë në shëndetësi tani është nën lupë, por pyetja thelbësore mbetet, a do të shkohet deri në fund? A do të ketë përgjegjësi reale për Nexhat dhe Merita Sheqin, apo edhe ky hetim do të mbetet një tjetër dosje që humbet në korridoret e drejtësisë? Në një sistem ku shëndeti duket se trajtohet si biznes, përgjigjja nuk është thjesht ligjore, është një provë për vetë shtetin.







