Rëndohet situata në aksin Librazhd-Prrenjas, ARRSH s’di kur hapet
Situata është përkeqësuar nga rrëshqitjet e dherave në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës. Rrëshqitjet e tokës kanë dëmtuar edhe trasenë e rrugës së re, e cila është pjesë e projektit të Korridori VIII.
Autoritetet janë në pritje të një raporti nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për të përcaktuar shkaqet e situatës së rënduar dhe për të vlerësuar stabilitetin e terrenit.
Ndërkohë, drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi në një emision televiziv se ende nuk ka një përfundim përfundimtar dhe se priten rezultatet e studimeve gjeologjike.
ARRSH: Segmenti mbetet i bllokuar
Në një njoftim për qytetarët, ARRSH bëri të ditur se qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec. Ky segment, që pritej të hapej gjatë mesditës së sotme, është bërë i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut.
Për arsye sigurie janë tërhequr edhe mjetet e firmës zbatuese, ndërsa është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve. Specialistët po kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për ndërhyrje.
Në terren po shqyrtohet mundësia që të krijohet një kalim i përkohshëm vetëm për automjete të vogla dhe për mjetet e emergjencës në një rrugë alternative pranë zonës.
Rrugët alternative për drejtuesit e mjeteve
Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka sugjeruar drejtuesve të mjeteve të përdorin disa akse alternative:
Për autoveturat:
-
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
-
Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
-
Qafë Thanë – Maqedonia e Veriut – Bllatë – Rruga e Arbërit
ARRSH u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Rruga që lidh Librazhdin me Prrenjasin është bërë e pakalueshme që prej 21 shkurtit 2026 për shkak të shembjeve të tokës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



