Revolucion ushtarak në Greqi, mbi 1 mijë dronë të prodhuar në vit
Greqia po hyn në një fazë të re në fushën e teknologjisë ushtarake, me një zhvillim të rëndësishëm në bazën e Telekomunikacionit nr. 306 në Aharnes, ku po prodhohen më shumë se 1.000 dronë në vit nga inxhinierët e Forcave të Armatosura greke.
Këta dronë përfshijnë modele të vogla me pamje nga perspektiva e pilotit (FPV – First-Person View), si dhe njësi më të mëdha që shërbejnë për zbulim, monitorim dhe mbështetje taktike. Një tjetër novitet i rëndësishëm është aftësia për prodhimin e tyre në stacione portative, të vendosura afër vijës së frontit, duke i dhënë ushtrisë fleksibilitet të madh operativ.
Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, deklaroi se tashmë janë zhvilluar dy prototipa të këtyre stacioneve të prodhimit portativ, të cilat do të prezantohen për herë të parë në paradën e 28 tetorit në Selanik. Këto pajisje janë dizajnuar për t’i shërbyer drejtpërdrejt njësive të mëdha ushtarake në terren, duke mundësuar prodhimin e dronëve të vegjël në kohë reale.
Sipas ministrit Dendias, këta dronë të prodhuar në vend përfaqësojnë një hap të madh drejt një ushtrie moderne, e cila po adopton teknologjitë e inteligjencës artificiale. Kjo përparësi teknologjike vendos Greqinë në vijën e parë të zhvillimit të mjeteve pa pilot në Evropë, në një kohë kur siguria e kontinentit është duke u ristrukturuar.
Ndërkaq, gjatë samitit njëditor të zhvilluar në Bruksel, në një kontekst të rritjes së presionit transatlantik ndaj Moskës, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis propozoi krijimin e një mekanizmi evropian të huamarrjes së përbashkët, me qëllim financimin e projekteve strategjike në mbrojtje, si sistemet antiajrore, dronët dhe teknologjitë e avancuara ushtarake.
“Jam i kënaqur që iniciativat tona për një mburojë të përbashkët antiraketë për Bashkimin Evropian po marrin përkrahje dhe janë pjesë e planit të Komisionit Evropian,” u shpreh Mitsotakis.
Në një intervistë për portalin Politico, kryeministri grek theksoi se mbrojtja duhet të trajtohet si një “pasuri publike evropiane” dhe se fondet evropiane duhet të përdoren për të realizuar projekte që shumë vende anëtare nuk do të ishin në gjendje t’i zhvillonin vetë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



