Rikthehet murtaja e bagëtive, groposen rreth 20 krerë dele
Karantinohet zona e Dajçit
Pas afro një viti pa raste të raportuara, murtaja e ruminantëve është rikthyer në qarkun e Shkodrës, duke prekur këtë herë njësinë administrative të Dajçit. Si masë emergjente, Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar vendosjen në karantinë të zonës, duke përfshirë një perimetër sigurie nga 3 deri në 10 kilometra, me qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Rasti i parë për këtë vit është identifikuar në fshatin Mali i Gjymtit, ku një fermë blegtorale është prekur drejtpërdrejt. Deri më tani janë groposur rreth 20 krerë dele, ndërsa pritet të asgjësohen edhe rreth 60 të tjera, si pjesë e masave për izolimin e infeksionit. Autoritetet konfirmojnë se rasti është zyrtarizuar prej tre ditësh.
Dëmet ekonomike për fermerin janë të konsiderueshme, duke u vlerësuar në rreth 10-15 milionë lekë të vjetra. Ai shpreson që do të përfitojë dëmshpërblim për humbjet e pësuara.
Nga ana tjetër, administratori i njësisë së Dajçit, Broz Pjetrani, ka ngritur shqetësimin se mund të ketë edhe raste të tjera të paidentifikuara në zonë. Për këtë arsye, pritet që në ditët në vijim të intensifikohen kontrollet dhe analizat laboratorike në të gjithë territorin.
Ndërkohë, drejtoria rajonale e ekstensionit bujqësor në Shkodër ka shtrirë verifikimet edhe në zona të tjera, për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit. Autoritetet theksojnë se kjo sëmundje prek vetëm bagëtitë e imta dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar në qarkun Shkodër u evidentuan tre raste të ngjashme, të cilat u menaxhuan përmes asgjësimit të kafshëve të prekura dhe vendosjes së zonave përkatëse në karantinë, sipas protokolleve ligjore në fuqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



