Rikthimi i Ritvan Palit, një lajm shumë i mirë për Policinë e Shtetit
Një lajm shumë i mirë për Policinë e Shtetit është rikthimi i oficerit të karrierës, Ritvan Pali, një prej drejtuesve që gjatë viteve të punës së tij ka treguar profesionalizëm, vendosmëri dhe përkushtim ndaj detyrës.
Pali u detyrua të largohej nga Policia e Shtetit rreth 9 muaj më parë, në një histori që për shumëkënd mbetet një nga rastet më të rënda të trajtimit të një oficeri karriere brenda strukturave të policisë. Ironia e gjithë kësaj ishte se gjithçka ndodhi pas një prej operacioneve më të rëndësishme të drejtuara prej tij. Si shef i Komisariatit nr. 2, më 5 prill 2025, Ritvan Pali arrestoi një person të shumëkërkuar nga SPAK, ish-efektivin e RENEA-s,
Altin Morina, në kërkim për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Për një arrestim të tillë, një oficer policie normalisht duhet të merrte vlerësim dhe mbështetje institucionale. Por në rastin e Ritvan Palit ndodhi e kundërta.
Pas arrestimit të Morinës, Pali u detyrua të largohej nga posti i shefit të Komisariatit nr. 2. Por ish kryepolici Proda nuk u mjaftua me kaq, ai pa motivacion e transferoi Palin disa herë brenda pak muajsh në poste të ulta, i uli edhe gradën sërish pa motivacion, dhe në fund u dërgua në Komisariatin e Leskovikut, një pozicion periferik, i konsideruar si formë ndëshkimi edhe pse Pali nuk kishte asnjë shkelje në detyrë. Mendimi im si gazetar kronike, me ketë padrejtësi ndaj Palit ishte dhe gabimi i parë fatal i Prodës si kryepolic duke zbehur ndjeshëm figurën e tij si drejtues i drejtë dhe ky veprim i tij shtroi pak nga pak edhe rrugën e largimit të tij si kryepolic.
I vetëm dhe pa mbështetje, ndërsa vijonte të përballej me vendime që i konsideronte të padrejta, Ritvan Pali vendosi të largohej nga Policia e Shtetit, duke qëndruar 9 muaj pa punë. Por drejtësia foli, pasi Pali iu drejtua Gjykatës Administrative dhe fitoi betejat e tij ligjore, duke rikthyer edhe gradën dhe duke rrëzuar vendimet që ai i kishte kundërshtuar si të padrejta.
Sepse në fund, sado që mund të vonojë, e drejta ka gjithmonë mënyrën e saj për të dalë në dritë. Me ardhjen e Skënder Hites në krye të Policisë së Shtetit, Ritvan Pali është vlerësuar sërish dhe së fundmi është rikthyer në strukturat e policisë në një post të rëndësishëm, shef i Operacionales në Policinë e Lezhës.
Ky është një ndër vendimet e Hitës që meriton të përshëndetet publikisht. Sepse Policia e Shtetit nuk mund të forcohet duke larguar, margjinalizuar apo ndëshkuar oficerët profesionistë. Një polici e fortë ndërtohet duke mbështetur njerëzit që punojnë, që marrin përgjegjësi dhe që nuk tërhiqen përballë detyrës.
Pavarësisht se kush oficer policie mund të ketë qenë pro apo kundër drejtuesve të ndryshëm të Policisë së Shtetit Prodës apo Hitës, një gjë duhet parë me objektivitet, Ritvan Palit iu bë një padrejtësi.
Dhe sot, rikthimi i tij është një korrigjim i rëndësishëm.
Ritvan Pali është një oficer me përvojë, shkollim policor dhe përgatitje të lartë profesionale. Përveç formimit në fushën e policisë, ai ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera edhe studimet në Juridik, duke e plotësuar profilin e tij profesional me njohuri të rëndësishme ligjore.
Oficerë si Ritvan Pali janë aset për Policinë e Shtetit.
Njerëz me përvojë, aftësi dhe guxim për të marrë vendime në momente të vështira nuk duhet të humbasin nga strukturat e policisë. Ata duhet të mbështeten, të promovohen dhe të vlerësohen. Sepse në fund, Policia ka nevojë për oficerë që i shërbejnë ligjit, jo interesave të momentit. Dhe Ritvan Pali është një prej atyre oficerëve që i duhen Policisë së Shtetit./ Igli Çelmeta
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



