Rikthimi i Trump a do të dobësojë mbështetjen e pakufishme ndërkombëtare për Ramën ?
Naim Noka
Fitorja e Trump-it në SHBA, a mund të sjellë një ndryshim të madh për Shqipërinë dhe politikën e saj të jashtme?
Rama ka pasur qasje shumë të mirë në administratën e Biden-it, kryesisht falë lidhjeve të tyre me George Soros dhe ndikimit të tij në politikën amerikane.
Kujtojmë të gjithë ambasadorët amerikanë dolën hapur në mbështetje të Ramës edhe në raste flagrante të abuzimit me pushtetin. Deri para pak muajsh ishte vetë kryeministri që trumpetonte me të madhe se mbështetja amerikane bëri të mundur reformën në drejtësi por nga New Yorku dhe tek Fevziu tha se Amerika solli “Noc Rrokun” për këtë reforme, duke i dhënë atributet vetes dhe PS-së për reformën.
Me Trump-in në krye të Shtëpisë së Bardhë, kjo “portë e hapur” mund të mbyllet.
Trump ka shprehur shpeshherë një qëndrim kritik ndaj influencës së Sorosit dhe ndaj politikës së ashtuquajtur “establishment”.
Ai preferon aleanca të drejtpërdrejta dhe më pak të ndikuara nga struktura të mëdha ndërkombëtare dhe ideologji globaliste. Rikthimi i Trump në pushtet, do bëjë të mundur që Rama të mos kishte mbështetjen amerikane pa kufi dhe minimialisht nuk do të kemi një Sekretar Shteti si Blinken, që kërcënonte opozitën dhe na e quante kryeministrin si udhëheqësin që i duhet Shqipërisë në fushatë elektorale.
Për më tepër, një administratë e Trump mund të rishikojë dhe të ristrukturojë mënyrën se si e mbështet Ballkanin. Ka gjasa që të fokusohet më shumë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale të drejtpërdrejta, duke shmangur ndërmjetësit politikë si Soros. Kjo do të krijonte një terren të ri për opozitën shqiptare, e cila mund të përpiqet të pozicionohet më pranë interesave të Trump-it.
Për Shqipërinë, kjo situatë mund të sjellë edhe një distancim të detyruar nga politikat e promovuara nga administrata Biden, veçanërisht nëse Trump vendos të aplikojë një qasje më të rreptë ndaj atyre vendeve që kanë lidhje të forta me figura si Sorosi. Në këtë kontekst, mbetet të shihet se si Rama do të manovrojnë në një realitet të ri politik ku qasja e tyre ndërkombëtare mund të jetë e kufizuar, dhe Shqipëria mund të përballet me ndryshime të ndjeshme në aleancat e saj strategjike.
Nuk duhet të harrojmë se Rama ka pritur dhe dakortësuar një plan të dhëndrit të Donald Trump në projekte zhvillimore në Sazan dhe Zvërnec, dy zona të rëndësishme turistike në Shqipëri. Thuhet se në këtë nismë ai u mbështet nga ish-ambasadori amerikan dhe përkrahësi i njohur i Trump-it, Richard Grenell.
A do të ndikojë kjo histori e ‘biznesit familjar’ në administratën e ardhshme të Trump-it duke gjetur ura pajtuese dhe duke mbyllur sytë para abuzimeve me pushtetin dhe korrupsionin në administratën e Ramës?!
Deklarata e Edi Ramës pas fitores së Trump duket më shumë si një përpjekje për të mbuluar qëndrimet e tij të kaluara dhe për të krijuar një fasadë bashkëpunimi në një situatë ku e ardhmja e tij politike po sfidohet. Vetë Rama, disa vite më parë, e quajti Trump-in “kërcënim për Amerikën dhe botën,” dhe kjo deklaratë ka gjasa t’i kthehet tani bumerang. Rama, në përpjekje për të ruajtur imazhin ndërkombëtar, e përshëndeti fitoren e Trump me një “urim” me tone të larta diplomatike, por ky mesazh vështirë se do të ndryshojë diçka thelbësore për raportin e tij me SHBA-në.
Me ndryshimin e administratës amerikane, Rama përballet me një sfidë të re që mund të limitojë qasjen e tij të pakufizuar mbi strukturat e pushtetit dhe përdorimin e bandave për të ndikuar zgjedhjet, veçanërisht në pranverën e ardhshme. Administrata e Trump me siguri nuk i do ti suportojë pa kushte mbështetësit e Soros, Rama mund të ndodhet pa atë mbështetje që e ka bërë të ndjehet “i paprekshëm” në vend.
Tani që dy liderë të opozitës janë nën hetim ose në burg, Rama duket se e ka të lirë terrenin për të manipuluar procesin zgjedhor.
Kthimi i Trump mund të shtojë presionin për të mbajtur zgjedhje të lira dhe për të ndalur korrupsionin e tij të përhapur në të gjitha nivelet e pushtetit qendror e lokal.
Kjo do të ishte një sfidë e rëndësishme për Ramën, i cili ishte mësuar me tolerancën e administratës Biden dhe strukturave të ndikuara nga Soros, që shpesh kanë mbyllur sytë ndaj abuzimeve të tij me pushtetin.
Për Ramën, ndryshe nga administratat e mëparshme, një administratë Trump do të ishte më pak e gatshme për ta toleruar. Fitorja e Trump mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve dhe t’i çlirojë qytetarët shqiptarë nga një sistem i kapur që, për vite me radhë, është mbështetur më shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare sesa në legjitimitetin e brendshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



