E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rinia ka vrarë lopën
Lajme

Rinia ka vrarë lopën

Publikuar nga Ergis Noka

Para disa vitesh, në një festë mes miqsh, dëgjova një mikun tim të rrëfente një histori që lidhej me skenarin e një filmi të huaj. Për fat të keq, nuk më kujtohet as titulli i filmit, as emri i skenaristit, por historia më ka mbetur në mendje.

Filmi tregonte për një familje që jetonte në fshat. Vajza adoleshente u kërkonte vazhdimisht prindërve të shpërnguleshin në qytet, ku, sipas saj, do të kishin më shumë mundësi dhe një jetë më të mirë, por përgjigjja e prindërve ishte gjithmonë e njëjtë:
– Nuk mund të shpërngulemi në qytet, sepse nuk kemi ku ta lëmë lopën.

Vajza e kuptonte se lopa ishte më shumë se një kafshë. Lopa ishte alibia pas së cilës prindërit fshihnin frikën për të hedhur një hap drejt së panjohurës. Lopa ishte justifikimi që i mbante të lidhur pas një jete që nuk guxonin ta ndryshonin.

Një mëngjes, herët, vajza u ngrit, e vrau lopën dhe, me duart e gjakosura, doli përballë të atit duke i thënë:
” E vrava lopën! Tani mund të shpërngulemi në qytet.

Rinia, që prej ditësh ka mbushur rrugët e Tiranës duket se ka vendosur ta bëjë të njëjtën gjë. Rinia ka vrarë lopën. Ka sfiduar frikën, ka thyer heshtjen dhe ka refuzuar të pranojë justifikimet me të cilat shpesh mbulohet mungesa e guximit për të ndryshuar.

Të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar më shumë nga sa kanë guxuar të kërkojnë prindërit e tyre. Kanë zgjedhur të mos heshtin, të mos pajtohen me atë që u ofrohet si e vetmja mundësi dhe të mos trashëgojnë frikërat e brezave para tyre.

Thelbi i revoltës studentore qëndron jo vetëm te kërkesat që paraqesin sot, por edhe te guximi për të vënë në pikëpyetje atë që për shumëkënd është kthyer në një realitet të pandryshueshëm.

Për të nisur një jetë të re, duhet më parë të çlirohesh nga ajo çka të ka mbajtur peng.

Post scriptum: Mirënjohje dhe mbështetje për çdo student që revoltohet, që ngre zërin dhe që guxon të kërkojë një të ardhme më të mirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.