Roberto Carlos, mes katër rrugëve pas divorcit të komplikuar

 

Jeta private e ish-legjendës braziliane të futbollit, Roberto Carlos, ka marrë një kthesë të papritur. Sipas programit televiziv spanjoll “Fiesta”, ish-mbrojtësi 51-vjeçar është detyruar të zhvendoset përkohësisht në qendrën sportive të Real Madridit, pas ndarjes nga bashkëshortja e tij prej më shumë se 15 vitesh, fizioterapistja Mariana Luçon.

Një divorc me pasuri shumë-milionëshe në lojë

Çifti, i martuar që prej vitit 2009, është në mes të një divorci të komplikuar, ku në qendër të mosmarrëveshjeve qëndron pasuria e konsiderueshme e Roberto Carlos, e vlerësuar në rreth 166 milionë dollarë. Ndërkohë që Mariana Luçon ka qëndruar në shtëpinë kryesore dhe prindërit e saj banojnë në një tjetër pronë të brazilianit, Carlos është detyruar të gjejë strehim në ambientet sportive të Real Madridit, në “Ciudad Deportiva”.

Një jetë familjare e trazuar

Roberto Carlos është baba i 11 fëmijëve nga shtatë gra të ndryshme, një fakt që ai e ka bërë publik një dekadë më parë, duke shkaktuar zhurmë në media. “Tani jetoj me Manuelën dhe kam disa të tjerë atje. Kam 7 në Brazil, një në Meksikë, një tjetër në Hungari, një që jeton në Alicante dhe të tjerët janë në Brazil”, pati deklaruar ai në një intervistë me gazetarin Josep Pedrerol.

Kjo situatë e re ka shtuar vëmendjen ndaj jetës personale të ish-yllit të Real Madridit, i cili për vite me radhë ka qenë një nga emrat më të njohur në botën e futbollit, por tani përballet me sfida jashtë fushës.

Publikuar nga Publik Media