Rrëfehet Erjon Vishkulli: Isha 30 metra larg policëve kur më goditi plumbi në sy”
Erjon Vishkulli, i riu 28-vjeçar që u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë, ka rrëfyer për herë të parë momentin e plagosjes.
Sipas tij, në atë moment ndodhej rreth 30 metra larg forcave të policisë dhe po bëhej gati të largohej nga protesta.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen Vishkulli.
Pas goditjes, Erjoni thotë se ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Një shok i tij e ndihmoi dhe e transportoi me makinë për të marrë ndihmë mjekësore.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë. Dhimbjet e forta dhe pasiguria nëse do ta rikuperojë shikimin mbeten shqetësimi kryesor.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai.
Për Erjonin është siguruar transporti drejt një spitali në Romë, ku pritet të marrë trajtim më të specializuar. Mjekët italianë do të vlerësojnë gjendjen e syrit dhe mundësitë për ndërhyrje. Në këtë moment, shpresa për të ruajtur shikimin mbetet e vetmja siguri.
Në fund të dëshmisë së tij, mes dhimbjes dhe pasigurisë për të ardhmen, Erjoni përcolli një mesazh të shkurtër: “Vetëm fitore”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



