Rrëfimi në SPAK i shqiptaro-gjermanes që “fundosi” AKSHI-n
Dëshmia e Migena Schroeder hedh dritë mbi rolin e zyrtarëve dhe biznesmenëve në një skemë të dyshuar manipulimi tenderash dhe pagesash të fshehta
Biznesmenia shqiptaro-gjermane Migena Schroeder është një nga dëshmitaret kryesore të SPAK në hetimet për tenderat në AKSHI, duke zbuluar detaje që hedhin dyshime mbi një skemë të mirëorganizuar manipulimi.
Në dëshminë e saj të dhënë më 8 janar 2026, Schroeder tregon se hyrja e kompanisë së saj “AESS Sh.p.k”, ku në letra figuron si pronar babai i saj Lefter Klemo, erdhi pas takimeve me drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtorin Daniel Shima.
Sipas saj, gjatë vitit 2022, ajo u orientua nga Daniel Shima që të përfshihej në projektin “Smartlab2”, një procedurë që ende nuk ishte shpallur, por që sipas dëshmisë së saj ishte paracaktuar të realizohej nga kompania “Albascan”. Për këtë arsye, ajo u drejtua për takim me përfaqësuesin e kësaj kompanie, Elison Jorgji.
Pas disa takimeve, palët ranë dakord të hynin së bashku në tender si Bashkim Operatorësh Ekonomik (BOE), dhe në vitin 2023 procedura u zhvillua duke shpallur fitues bashkëpunimin mes “Albascan” dhe “AESS”. Megjithatë, tenderi u ankimua nga kompania “PC Store”.
Schroeder shpjegon se, sipas Daniel Shimës, procedura ishte anuluar dhe rihapur me kritere shtesë, përfshirë certifikimin nga DSIK, një kusht që sipas saj nuk ishte i nevojshëm dhe që u përdor për të përjashtuar konkurrentët.
Gjatë zbatimit të projektit, ajo tregon se konstatoi probleme serioze me cilësinë e punimeve dhe se kur nisi të kundërshtonte, u përball me presion. “Nëse do të vijosh të ankohesh, duhet të largohesh”, i është thënë asaj sipas dëshmisë.
Situata u përshkallëzua pas një takimi me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili i tha se kishte hyrë “në një pishinë me peshkaqenë”. Sipas saj, Beqiri i kërkoi të pranonte një skemë pagesash, ku një pjesë e parave do të kalonin përmes kontratave me kompaninë “EA Solution”, përmes një personi të identifikuar si “Gesta”.
Schroeder ka treguar se, e frikësuar, fillimisht ka pranuar të ndjekë këto udhëzime dhe ka realizuar pagesa sipas direktivave të dhëna.
Më tej, ajo rrëfen se ka vendosur të distancohet nga këto praktika dhe të denoncojë situatën. Sipas saj, ka orientuar biznesmenin e “ABS”, Gerond Meçe, që të denoncojë në autoritetet gjermane rrëmbimin e tij në Tiranë, çka ka sjellë edhe reagimin e Ambasadës Gjermane dhe nisjen e hetimeve.
Në dëshminë e saj, Schroeder përmend edhe një rrjet bashkëpunimi mes kompanive dhe individëve, përfshirë Andis Papa, Gëzim Hoxha, Ferit Hoxha dhe Gentjan Likaj, të cilët sipas saj ishin të përfshirë në një organizim për të ruajtur kontrollin mbi tenderat e AKSHI-t, përmes një organizate të quajtur “AKTI”.
Ajo ka folur gjithashtu edhe për një tender të zhvilluar nga SPAK në vitin 2024 për blerjen e skanerëve, ku kompania “Albascan” u shpall fituese përballë operatorëve të tjerë si “Alcomm Solutions” dhe bashkimi “AESS” & “S2 Secure Albania”.
Sipas dëshmisë së saj, këto zhvillime ngrenë dyshime serioze mbi transparencën e procedurave dhe ndikimin e aktorëve të caktuar në prokurimet publike.
Hetimet e SPAK vijojnë për të verifikuar këto pretendime dhe për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një skemë të organizuar korrupsioni në sektorin e teknologjisë dhe prokurimeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



