Rrethimi i tretë i shqiptarëve!

ARIAN GALDINI

Është interesante të shqyrtosh të gjitha ngritjet ciklike politike të doktrinave dhe zërave që veshin qyrkun nacionalist në Shqipëri e ndër ne shqiptarët, madje edhe në trevat e tjera ku ne jetojmë në Ballkan, prej vitit 1912 e deri sot.

Psh., mëvetësimin e quajtëm arritje se shpëtuam një copëz Shqipërie e lamë peng të tjerat. Princ Vidin e përzumë se nuk donim një të huaj mbi krye, prandaj edhe i besuam Haxhi Qamilit që gërthiste DumBabën ndërsa sytë dhe zemrën i kishte në Stamboll.

Ahmet Zogu e rrëzoi Fan Nolin me ushtrinë e Pashiqit për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve, por pa Manastirin.

Enver Hoxha hyri në Tiranë me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, e pastaj e braktisi Titon për Stalinin dhe Hrushovin për Maon, por kur ngeli edhe pa Maon, u kujtua për Kosovën në vitin 1981.

Sali Berisha në vitin 1990 erdhi si lideri i demokratëve, i cili ndër të tjera e kishte edhe nacionalizmin si kauzë të shprehur.

Derisa u përplas me “të pestët” dhe përqafoi Nicholas Gage dhe Grekët. Derisa u përplas me Ibrahim Rugovën dhe përqafoi Adem Demaçin, pastaj pasi e quajti UÇK organizatë terroriste marksiste-leniniste, iu përvesh Rambujesë, e kështu me radhë.

Derisa në Maqedoni iu turr Abdurrahman Halitit dhe PPD për të ndihmuar Gligorovin dhe dobësuar nëpërmjet përçarjes faktorin shqiptar atje. E kështu me radhë e me radhë e me radhë.

Fatos Nano nuk ka nevojë të shqyrtohet, sepse ai kurrë nuk e eksploroi nacionalizmin, kësisoj endej nga Kreta ku pinte whiskey me Milosheviçin në Athinë për uzo me Papandereun.

Ilir Meta vraponte për shoqni me Xhinxhiçin e Tadiçin, por nuk harronte të merrte ndonjë dekoratë nga Athina.

Edi Rama sa erdhi në krye të Qeverisë u vërsul drejt Erdoganit, u vëllazërua me Vuçiçin dhe nuk la kurrë pas dore asnjë autokrat ballkanik. Prej vitit 2013, kemi një marrëdhënie lineare të patrazuar miqësore e vëllazërore të Edi Ramës me Vuçiçin, por asnjë Kryeministër i Kosovës kurrë nuk e pati fatin të ishte i mirëpritur zemërhapur nga Kryeministri i Shqipërisë pas 2013.

Edi Rama kurrë nuk e gjeti as mik e as bashkëpunëtor as Isa Mustafën, as Ramush Haradinajn, as Abdullah Hotin e as Albin Kurtin.

Ka një përpjekje romantike e propagandistike për ta kompensuar këtë mungesë të madhe me një “miqësi speciale” mes Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, e megjithatë asgjë nuk e mbush dot honin e thellë të mosshkuarjes fatale mes Kryeministrit të Tiranës me Kryeministrin e Prishtinës. Nga ana tjetër, kemi parë fraksione të vogla politike të cilat nacionalizmin e kanë instrumentalizuar si kauzën e tyre partiake. Kemi parë Aleancën Kuqezi disa vite më parë në Shqipëri, e cila për shumë muaj u kthye në parti politike që ngjasonte me dhomat e zhveshjes së futbollistëve ku të gjithë ulëritnin për fitore para ndeshjes, e pas humbjes shkonin në pub të qanin, ndërsa rrëkëllenin birra duke sharë arbitrit për padrejtësi.

Cilat ishin tezat e AKZ?

Bashkim Kombëtar, jemi Kuqezi, Kreshniku është më i madh se Berisha, Meta, Rama e madje e ka në xhepin e vogël edhe Albin Kurtin.

Kaq. Pas ndeshjeve elektorale, Kreshniku iku dhe u bë shqiptar i Diasporës dhe analist mediatik.

Liderit nacionalist i ranë brekët kuqezi dhe veshi tunikën e opinionistit kuqezi.

Çuditërisht, askush nuk u ndal kurrë të pyeste, po çfarë u bë me atë masë njerëzore, e cila u ndërzye elektoralisht nga “dhoma e zhveshjes” së AKZ?

Kush e bëri atë eksperiment social, politik dhe elektoral në Shqipëri? Ç’qëllim kishte ai eksperiment?

Nëse ju kujtohet, eksperimenti lindi me kauzën e detit, prej nga ku u ngjiz edhe një “shoqëri e re” mes PS dhe Ankarasë.

Pakti i Detit me Greqinë ra në Kushtetuese dhe Edi Rama u prit pak ditë para fitores së zgjedhjeve në qershorin e 2013 nga Erdogani në kryeqytetin e Turqisë.

Pakti i Ramës me Erdoganin sigurisht që do e bënte të panevojshme aleancën apo koalicionin e PS me AKZ.

Kështu që Kreshnikut ia zhveshën mantelin kuqezi dhe e lanë të sillej ca kohë vërdallë për të kuptuar çfarë kishte ndodhur.

Interesant është fakti se “çunakët” e asaj kohe rreth Kreshnikut, u thirrën që ta braktisnin dhe linin vetëm Liderin Kuqezi dhe ata u bindën pa bërë as gëk e as mëk.

Kush i thirri? Kush ua kërkoi ta prisnin në besë e ta linin vetëm “Liderin e tyre Kuqezi”?

Edi Rama fitoi në 2013 me Ilir Metën e nuk i duhej fare më asnjë votë nga “dhoma e zhveshjes” së AKZ.

Atëherë me durim Edi Rama si kryeministër me bashkëkryetar koalicioni Ilir Metën, nisi projektin e “Timonierit të vetmuar”

Prej sa i hyri kësaj hullie, Edi Rama nisi të mendonte për çdo votë, përfshirë edhe ato eksperimentalet nacionaliste të “dhomës së zhveshjes” AKZ.

Por si do t’i siguronte këto vota pa një marrëdhënie të mirë me Kryeministrin e Prishtinës?

E thjeshtë.

I duhej një “luftë” me dron dhe top futbolli. E kush mund t’i vinte në ndihmë, përveçse “vëllai” Vuçiç?

Mjaftoi një ndeshje futbolli, e një propagandë spektakolare mbi rrezikun e një lufte që mund të lindte nga një ballist dhe gjithçka u vu në skenë përsosmërish.

Vuçiçi ia mundësoi edhe “Kalin” e Beogradit prej nga ku Edi Rama si shqytar kuqezi shkoi dhe bëri thirrje për Pavarësinë e Kosovës m’u në mes të kryeqendrës së shkjajve.

Të gjithë e besuan dhe imazhi i Edi Ramës filloi të konstruktohej si “Kreshniku Kuqezi”.

Kreshnikut të AKZ ia zbathën brekët dhe i kthyen në kravatë për Kreshnikun e Rilindjes.

E për të mos u zgjatur më tej, e bëra të gjithë këtë parashtrim që të kuptohet tashmë lehtë kur unë them se sipas meje, nuk ka asnjë konflikt mes Edi Ramës dhe Qirjako Micotaqis. Gjithçka po shkon fjollë sipas planit. Micotaqis ka nevojë për votat e Agimit të Artë, e për rrjedhojë i duhet Fredi Beleris dhe i bën punë çdo “sherrnajë” me Edi Ramën. Edi Ramës i duhet “kravata kuqezi” që të vijojë t’i marrë i qetë votat e “dhomës së zhveshjes AKZ”, por edhe të vijojë ta mbajë të kuruar imazhin e Liderit Madhështor të Shqiptarëve që po na ngre lart dinjitetin kudo e ngado në botë. Është i gjithi operacion i përbashkët propagandistik dhe elektoral. Nga ana tjetër, Edi Rama qëllimisht “përfshihet” në mes të zgjedhjeve me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut sepse e di që rezultati zgjedhor atje do të rikthejë Partinë e ishkryeministrit Gruevski. Për rrjedhojë, Ali Ahmeti tashmë i detyruar të pranojë daljen në opozitë pas 2 dekadash shndërrohet me apo pa dashje në kavaletë për telajon e imazhit patriotik dhe dinjitar të Edi Ramës, kurse Albin Kurti paradoksalisht fajësohet për rikthimin e “Antishqiptarëve” në krye të qeverisë së Shkupit. E njëjta ka ndodhur me Dritan Abazoviçin. Tejmbështetja e sheqerosur e Edi Ramës për ish-kryeministrin e parë shqiptar të Malit të Zi, solli në pushtet Partitë Proserbe e Proruse në Podgoricë. Tirana dhe Prishtina duken si dy akse të kundërta. Edi Rama mbështet ata që janë kundër Albin Kurtit edhe në Luginën e Preshevës, edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Mal të Zi.

Albin Kurti mbështet këdo që është vetëm me të e kundër kujtdo.

Dhe rezultati është ky.

Maqedonia e Veriut me Mickovskin dhe vlen këtej e tutje do ketë një pozicionim politik në përplasje me Perëndimin.

Dhe ne e dimë që kur në vendet e Ballkanit ka rryma politike që përplasen me Perëndimin, janë shqiptarët ata që e vuajnë.

Njëlloj po ndodh në Mal të Zi.

Vetë Kosova e Albin Kurtit është në një kurs përplasjeje a së paku mospërputhjeje me Perëndimin.

Paradoksalisht Albin Kurti është gjithashtu “nacionalist i madh”, por që nuk e ka problem t’i japë mbështetje vlen në Maqedoninë e Veriut e kështu të sjellë në pushtet Partinë “Anti-Shqiptare” VMRO – DPMNE.

Paradoksalisht Albin Kurti njëlloj përçan partitë e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, duke sjellë realitete absurde si pasojë dhe ardhjen në pushtet të Partive Proruse dhe Proserbe në Podgoricë.

A ma shpjegon dot dikush se si është e mundur që “nacionalizmi shqiptar” gjithmonë shfaqet në forma të tilla përçarëse kur ne jemi të gatshëm të bëjmë pakte me çdo djall rajonal, mjafton që të fitojmë mbi njëri-tjetrin e secili të shkëlqejë si “Çifligari” i Feudit të vetë, por askush të mos guxojë të veprojë vërtetësisht për bashkimin?

A ma shpjegon dot vallë dikush këtë “kompleksin e Fitores me Ushtrinë e Pashiqit”, që ne e kemi tek çdo lider shqiptar prej Ahmet Zogut e këndej?

Si mundet një lider nacionalist në Prishtinë të bashkëjetojë me “Kosovarizmin” dhe “Gruevskizmin”? Si mundet një lider nacionalist në Shqipëri të bashkëjetojë me Erdoganizmin, Orbanizmin, Melonizmin dhe Vuçiçizmin?

Si mundet që Kreshniku i AKZ u bën thirrje shqiptarëve të Greqisë sot që ta presin Kreshnikun e Rilindjes me flamuj kuqezi në Athinë, kur edhe bufi e kupton se çdo manifestim kuqezi në Kryeqytetin e Greqisë do të tërbojë “demin” e Agimit të Artë, e për rrjedhojë do t’i bëhet shërbim fantastik elektoral Qirjakos së NeaDemokracia?

Mos harroni, se babai i Qirjakos që sot ka bust në Dropull, falë Edi Ramës ka qenë “antishqiptar” i kulluar. Mos harroni se motra e Qirjakos, Dora Bakojanis po udhëheq çuditërisht “lojën pro anëtarësimit” të Kosovës në KiE, ndërkohë që Albin Kurti i tha jo. A po na rrethojnë “fqinjët” apo kësaj radhe jemi “vetërrethuar”?

Publikuar nga Publik Media