Rrezikohet largimi masiv i diplomatëve të karrierës

Spastrime me “projektligj” në diplomaci 

Në gusht të vitit 2024, kryeministri Edi Rama lavdëroi diplomacinë shqiptare gjatë konferencës “Diplo 2024”, duke e quajtur atë një faktor kyç në zhvillimet transformuese të kohës dhe duke theksuar rolin e saj në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

Megjithatë, më pak se një vit më vonë, një projektligj i ri për Shërbimin e Jashtëm, që ka mbërritur tashmë për shqyrtim në Kuvend, kërcënon ta përmbysë këtë narrativë optimiste.

Në mënyrë të pazakontë dhe pa transparencë, në nenin 68, pika 3 të projektligjit, është futur një paragraf i ri që parashikon një testim të detyrueshëm për të gjithë diplomatët aktualë brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Kjo dispozitë, e cila nuk ishte përfshirë në draftet publike të mëparshme të publikuara nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe as në faqen zyrtare të Kryeministrisë, është zbuluar vetëm në versionin përfundimtar të depozituar në Kuvend.

Ky zhvillim ka ngritur alarm te komuniteti diplomatik dhe ish-ambasadorë me përvojë, të cilët e shohin këtë si një përpjekje të qartë për të larguar diplomatët e karrierës dhe për t’i zëvendësuar ata me individë të afërt me pushtetin.

Zhdukja” e karrierës diplomatike

Sipas ish-diplomatit të njohur Sokol Gjoka, projektligji i ri synon zhdukjen e diplomatëve të karrierës për t’u lënë vend personave të rekrutuar politikisht. “Ky është një atentat ndaj profesionalizmit në diplomaci. Testimi i përgjithshëm, i futur fshehurazi në fund të ligjit, është një mjet për spastrimin e shërbimit diplomatik nga zërat e pavarur”, shprehet Gjoka për Faktoje.al.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe ish-ambasadori Agim Nesho, i cili thotë se “në vend që të forcohet trupa diplomatike në funksion të shtetit, ajo po vendoset në shërbim të agjendës së qeverisë dhe kreut të saj”. Sipas Neshos, diplomatët nuk i nënshtrohen testimeve të reja, sepse aftësitë dhe performanca e tyre vlerësohen përmes karrierës dhe përvojës, dhe jo me provime politike.

Projektligj i manipuluar?

Një tjetër pikë që ngjall dyshime është mungesa e transparencës në procesin ligjvënës. Neni 68, pika 3 nuk është përfshirë në versionet e hedhura për konsultim publik. “Ky shtim në fund të projektligjit është një formë manipulimi institucional”, thotë Gjoka, duke shtuar se përveç këtij neni, edhe dispozita të tjera në ligj – si ato në nenin 38, 42 dhe 50 – synojnë të minojnë profesionalizmin në shërbimin e jashtëm.

Testime të dyshimta, kritere të paqarta

Ligji ekzistues (nr. 23/2015) dhe edhe projektligji i ri parashikojnë testime për avancimin në grada, por testimi i përgjithshëm për të gjithë diplomatët është një risi me pasoja të rënda. Ende nuk është bërë e qartë se kush do të jetë trupa që do të zhvillojë testimin, çfarë kriteresh do të përdoren dhe si do të garantohet objektiviteti i procesit.

Në nenin shtesë thuhet se: “Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor”, një formulim i vagullt që le hapësirë për interpretim dhe potencial për abuzim politik.

Fundi i profesionalizmit?

Në vend që të forcojë strukturën diplomatike përballë sfidave të reja ndërkombëtare dhe proceseve të integrimit, projektligji i ri duket se është kthyer në një armë për të zëvendësuar diplomacinë e karrierës me një diplomaci klienteliste dhe të politizuar.

Gjoka paralajmëron se nëse ligji miratohet në këtë formë, “do të shkatërrojë përfundimisht strukturën e diplomacisë shqiptare të ndërtuar me shumë mund ndër vite”. Ai shton se “diplomacia është pasuri kombëtare dhe duhet të mbrohet nga ndërhyrjet politike të momentit”.

Projektligji i ri për Shërbimin e Jashtëm ka sjellë shqetësime serioze për pasojat që mund të ketë në strukturën dhe pavarësinë e diplomacisë shqiptare. Futja pa transparencë e një dispozite që kërkon testim të detyrueshëm për të gjithë diplomatët, shihet si një mënyrë për të “spastruar” nga sistemi ata që nuk janë politikisht të dëshirueshëm.

Nëse deklaratat për “transformim” të diplomacisë nga kryeministri Rama shiheshin si një vizion modernizues, ky projektligj rrezikon t’i japë fund çdo iluzioni për një shërbim të jashtëm të pavarur dhe profesional.

Në fund të fundit, kur provimi vjen për të gjithë, është dikush që e di paraprakisht se kush do e kalojë. Dhe kjo nuk është diplomaci – është politikë.

Publikuar nga Publik Media