Sa vlen jeta “bli, konsumo, kënaqu”?

GËZIM TUSHI

Edhe pse erdhëm nga shtrati i përbashkët i një shoqërie të varfër egalitariste, sociologjikisht ka qenë konstante e parashikuar se në rrugën e modernizimit të shoqërisë do të shfaqeshin pasojat e tendencës së deformimit të jetës nën ndikimin e pakontrolluar të “agresionit materialist konsumistik”. Ndaj situata nuk është e papritur dhe prirja me të cilën po ndeshet shoqëria shqiptare me rendjen e shfrenuar të njeriut pas parasë, fitimit, konsumit si qëllim në vetvete dhe plotësimit frenetik të shumë kënaqësive të tjera. Lufta individuale për fitim me çdo kusht, për fitim material si kusht mbijetese dhe konsumi, është shndërruar në “epidemi sociale”. Shoqëria moderne e ka kthyer konsumin e sendeve dhe vlerave materiale në “esencë të jetës”.

Çdo ditë jeta e njeriut fillon dhe mbyllet me motivet e parasë, fitimit, konsumit dhe qejfit. Në një farë kuptimi, mania e shtimit të vlerave të konsumit, që gjithnjë e më shumë kalojnë nëpër duart e njeriut, e ka kthyer atë në “rob” të dhënë tërësisht pas sendeve të konsumit, të cilat ai i do përditë e më shumë, të bukura, të shumta, të larmishme. Sociologët kanë ngritur alarmin e një procesi të “skllavërimit të njeriut nga sendet e konsumit”. Konsumizmi pa fre, i pandalshëm, i shfrenuar, ka gllabëruar tërë qenien njerëzore, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Mania obsedive e posedimit të sa më shumë sendeve nuk është qëndrim që lidhet vetëm me motivet materialiste dhe të plotësimit të nevojave të domosdoshme të njeriut për konsum. Madhësia e sendeve që njeriu konsumon, sasia e parave dhe mjeteve që përdor që nga makina, celulari dhe “të dashurat enumerative” janë përveç të tjerash edhe tregues të “superioritetit personal”, qëllim në vetvete, objekt mburrjeje, “krenarie personale”, tregues i vendit që zë njeriu në shoqërinë e stratifikuar, vetëm nga motive të pozitës materiale të njeriut në shoqëri, pavarësisht nga vlerat e tij si njeri, si qytetar.

Nga ana tjetër, duke qenë në kushtet e një shoqërie të lirë, e cila ka gjithnjë prirje konstante, të pakthyeshme drejt individualizmit, po duken në mënyrën më evidente të mundshme, kufizimet e dimensionit social, humanitetit dhe solidaritetit. Materializimi gjithçkaje, mbivlerësimi i konsumizmit gjithnjë e më tepër po shoqërohet me praninë e njeriut “lakmitar” dhe i pangopur që shfaqen si qenie të pavarura nga shoqëria dhe komuniteti, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga prirjet sociale, solidariteti human. Është patologji e jetës moderne, e cila po dikton faktin që në shoqërinë e sotme shqiptare, dikur të barabartë në varfëri, të shfaqen njerëzit e “kohës së re”, që janë konsumistë këmbëngulës, njerëz që sa më shumë kanë, aq më shumë duan të kenë, që konsumojnë të mirat materiale jo si mjet për të plotësuar nevojat, por si qëllim në vetvete. Po bëhet gati si një rreth vicioz në të cilin është mbyllur jeta e njeriut, nga që i është nënshtruar efekteve jo humane, kontradiktore të “agresioni materialist”.

Dukuri që po shfaqet në përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe që e ka mbyllur jetën në trekëndëshin ekzistencialisht “fatal”, të përdorimit të konsumit si qëllim në vetvete, brenda rrethit të mbyllur “bli, konsumo, kënaqu”. Kjo mani sociale, për hir të së vërtetës është kthyer në tendencë globale, duke qenë njëherësh shqetësim social universal serioz. Është fakt që kudo po shfaqet e njëjta “ideologji universale konsumistike”. Kjo është arsyeja pse po shtohen vazhdimisht njerëzit, që janë të ngulitur pas idesë materialiste, dëshirës së pangopur që të t’i shfrytëzojnë sa më shumë të mirat e kësaj shoqërie, duke menduar vetëm brenda kufirit të ngushtë të ciklit të jetës personale, pa vrarë mendjen për rezervat strategjike të njerëzimit, mundësitë e kufizuara materiale që duhet të mbeten në dispozicion të brezave pasardhës.

Nuk mund të anashkalohen efektet sociale dhe kundërefektet materiale, që lidhen me shfaqjen në zgjerim të tipologjisë së njeriut që mendon vetëm për konsum personal apo që këtë ndjenjë e ka kthyer në qëllim të vetëm të jetës. Këta janë individë të dhënë marrëzisht pas parasë, fitimit, konsumit, seksit dhe përgjithësisht vlerave materiale. Pa kuptuar se në anën tjetër që pavarësisht nivelit të konsumit personal, janë mbase pa e kuptuar viktima, të rrezikuar për të qenë të njëanshëm, të zhveshur nga kërkesat sociale, vlerat spirituale (jo materiale). Të cilat përtej bravurave të konsumit personal, janë kërkesa esenciale ekstra materiale për jetën e njeriut, tipar dallues kryesor, ndoshta i vetëm që e dallon atë nga bota e kafshëve. Koha po tregon se kjo njëanGËZIM TUSHI shmëri e jetës materiale po krijon një shtresë sociale që ka probleme me personalitetin e tyre. Sepse kjo mani materialiste e përvetësimit pa limit të gjërave materiale, sjell deformacione në personalitetin e tyre, izolim social nga jeta shoqërore, kultura dhe zhvillimi shpirtëror, shmangie të detyruar nga “rolet sociale” që ata duhet të luajnë.

Jo vetëm në fushën e biznesit dhe fitimit material, por sidomos ndaj detyrimeve që kanë, në rolet shoqërore sipas pozicionit dhe detyrimeve sociale. Sepse ndjenja e epërsisë materiale, e kthyer në obsedim, në qëllim të vetëm të jetës, i ka larguar një pjesë të njerëzve të obseduar nga konsumizmi nga shoqëria, “jeta e natyrshme” familjare dhe detyrimet si bashkëshort, baba, nënë, motër, vëlla, mik, shok, fqinj, bashkëqytetar, bashkëfshatar. Një pjesë prej tyre duke e konsumuar jetën pas “sendeve”, luksit automobilit, ushqimit, qejfit, kanë hequr dorë nga obligimet e tyre të tjera, nga institucionet dhe veprimtaritë që të pasurojnë shpirtin, të bëjnë më human, më të lidhur me institucione të tilla të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme si shkolla, kisha, xhamia, biblioteka, libraria, leximi, komunikimi miqësor interpersonal, të cilat ndikojnë në pasurimin e jetës së njeriut me vlera shpirtërore. Më në fund, patologjia universale e jetës moderne e “konsumit për hir të komunsumit” ka kapur për “fyti” edhe shoqërinë tonë.

Sociologët e kohës sonë me gjithë skepticizmin e fortë që kanë për pamundësinë e shoqërisë, për të ndalur “agresionin materialist obsedues”, nuk gjejnë rrugë të tjera për të ndalur këtë çmenduri, që po e bën jetën me më pak kuptim, veç asaj rruge humane që njeriu të dalë nga “kufijtë e ngushtë” të orientimit vetëm materialist e konsumist, të ngrihet deri në nivelin ku vlerat shpirtërore të kenë për të “kuptim të lartë”. Kjo po sjell rënie të interesit të njerëzve tanë për shoqërinë në tërësi, miqësinë, librin, artin, jetën komunitare. Braktisja e motivit jomaterialist të jetës, mbytja e individit nga obsesioni i parasë, fitimit, kënaqësive parazitare, pasive është një nga deformimet kërcënuese ekzistenciale të shoqërisë. Është i lehtë konstatimi social, por nuk është e lehtë përgjigja e kësaj pyetjeje ekzistenciale. Nuk është e lehtë përgjigja, sepse kanë ndryshuar shumë gjëra themelore, të cilat kanë qenë “shtylla ekzistenciale” të shoqërisë së vjetër, tradicionale, kolektiviste. Që kanë qenë “tabu” të saj. Shoqëria moderne shqiptare duke qenë e lirë, e individualizuar së tepërmi, gjithnjë e më shumë po i largohet funksionimit bazuar në strukturat sociale tradicionale.

Gjithnjë e më tepër ajo po u largohet “perceptimeve të vjetra sociale” të kolektivizmit, humanizmit, solidaritetit, ndikimit të fuqishëm determinues të familjes, kolektivit, komunitetit. Modelit të shoqërisë “holiste” po ia zë vendin “shoqëria e individualizuar”, në të cilën njeriu del “i vetëm”, përballë sfidave të konkurrencës dhe shanseve propabile për të humbur apo fituar në jetë. Në plan të parë kanë dalë motive të tjera, në të cilat individi duhet të luftojë së tepërmi vetë për t’i realizuar me sukses, duke pasur përballë, “konkurrentë”, “kundërshtarë”, “ziliqarë”, “ambiciozë” etj.. Në këto rrethana, duket një rënie e “motiveve jomaterialiste” të jetës dhe një dalje në krye të “motivimit të individit” në çdo punë të fitimit personal, karrierës, parasë. Ky imperativ, ky lajtmotiv i ri i shoqërisë moderne tashmë është bërë sundues dhe njëherësh edhe shqetësues për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, e cila sa më shumë vazhdon të pandalur procesin e individualizimit, aq më pak sociale dhe humane shfaqet. Kjo prirje individualizuese ndeshet çdo ditë kudo në të gjithë ambientet e jetës së shoqërisë shqiptare.

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim: ne jemi tipikisht “shoqëri moderne” në të cilën çdo njeri individualisht ka si prioritar motivin e fitimit, parasë dhe kënaqësive materiale. Këto janë kthyer në “lajtmotiv evident”. Gjithnjë e më pak flitet për motive shpirtërore, morale, kulturore, fetare, të cilat si “imperativa jomaterialiste” të jetës janë të domosdoshme dhe që i japin jetës së individit kuptim, “lëng jetësor”. Këto vlera në shoqërinë shqiptare po shfaqin prirje të fortë për t’i nihiluar, neglizhuar. Ose, padrejtësisht konsiderohen si “motive të vjetra”, arkaike që nuk i përshtaten “kohës së re”, natyrës individualiste të njeriut modern. Anomali sociale e justifikuar patologjikisht, duke e lidhur me konceptin e trajtimit semplist të dy faktorëve thelbësorë: sikurse janë paradigma e “dinamikës kapitaliste” dhe trajtimi pragmatist i transformimeve të thella, që kanë pësuar kushtet e jetës sociale në Shqipëri…

Publikuar nga Publik Media