SafeJournalists kundër GJKKO-së për rregulloren e re ndaj mediave
Rregullat e reja që përcaktojnë aksesin e medias në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2026, duke sjellë reagime dhe shqetësime nga organizatat që monitorojnë lirinë e medias.
Rrjeti SafeJournalists ka bërë të ditur se po ndjek nga afër mënyrën se si po zbatohet Rregullorja e re e Brendshme, veçanërisht për sa i përket punës së gazetarëve në një institucion ku zhvillohen disa prej proceseve më të rëndësishme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Më herët, më 7 gusht, SafeJournalists kishte shprehur rezerva për disa prej dispozitave të reja që prekin drejtpërdrejt median, duke kërkuar që ato të rishikoheshin përmes konsultimit me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias.
Pak para hyrjes në fuqi të rregullores, më 31 gusht, GJKKO publikoi një dokument me pyetje dhe përgjigje, përmes të cilit dha sqarime mbi disa nga çështjet e ngritura.
Një prej pikave të rëndësishme të sqaruara nga Gjykata lidhet me gazetarët e paakredituar. Sipas GJKKO-së, edhe ata mund të marrin pjesë në seancat publike, njësoj si pjesëtarët e publikut, në varësi të vendeve të lira në sallë.
Ndërkohë, për gazetarët e akredituar, Gjykata ka sqaruar se në rrethana normale nuk kërkohet autorizim paraprak për ndjekjen e seancave publike. Procedurat e posaçme për menaxhimin e aksesit parashikohen të përdoren vetëm në situata kur kjo bëhet e domosdoshme, për shembull për shkak të kapacitetit të kufizuar të sallës, kërkesave të sigurisë apo interesit të veçantë publik të një çështjeje.
SafeJournalists i ka mirëpritur këto sqarime, por vlerëson se ende mbeten pikëpyetje mbi mënyrën se si rregullat e reja do të funksionojnë në praktikë dhe nëse ato mund të krijojnë pengesa për punën e përditshme të gazetarëve.
Një nga çështjet e ngritura lidhet me formularin e akreditimit, i cili kërkon një sërë të dhënash personale dhe profesionale nga aplikantët, përfshirë edhe adresën e banimit.
Vëmendje e veçantë i kushtohet gazetarëve freelancer, të cilëve u kërkohet të paraqesin dokumente ose prova që dëshmojnë aktivitetin e tyre profesional gjatë 12 muajve të fundit.
Një tjetër pikë që SafeJournalists e konsideron të nevojshme për diskutim është rregulli që parashikon depozitimin e telefonave celularë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike përpara hyrjes në sallën e gjykimit.
Sipas rrjetit, këto kërkesa duhet të vlerësohen në raport me nevojën, proporcionalitetin dhe kushtet konkrete që u duhen gazetarëve për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të shpejtë, të saktë dhe profesionale.
Në këtë kuadër, SafeJournalists i bën thirrje GJKKO-së që gjatë fazës së parë të zbatimit të rregullores të zhvillojë një dialog të strukturuar me gazetarët dhe organizatat e medias.
Rrjeti propozon gjithashtu që pas muajit të parë të zbatimit të bëhet një rishikim i hershëm i dispozitave që lidhen me median. Sipas tij, ky proces duhet të mbështetet në përvojën reale të gazetarëve dhe stafit të Gjykatës, veçanërisht për procedurat e akreditimit, përdorimin e pajisjeve elektronike të punës dhe mënyrën e komunikimit me median.
Qëllimi, sipas SafeJournalists, duhet të jetë gjetja e një ekuilibri mes kërkesave për sigurinë dhe administrimin e proceseve gjyqësore dhe nevojës së medias për të pasur akses efektiv në çështjet me interes të lartë publik.
Rrjeti ka deklaruar se mbetet i gatshëm të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë proces dhe do të vijojë monitorimin e zbatimit të Rregullores së re të GJKKO-së.
Po ashtu, SafeJournalists ka bërë të ditur se do të informojë aktorët përkatës në Shqipëri dhe partnerët ndërkombëtarë mbi zhvillimet e kësaj çështjeje.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 5 shtator 2026.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



