Sali Berisha përfundon në SPAK për 21-Janarin
SPAK ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e 21 janarit 2011, e cilësuar si një nga episodet më të rënda të historisë politike shqiptare.
Mësohet se fletëthirrja zyrtare i është dërguar në tre adresa, në selinë e Partisë Demokratike, në Kuvend dhe në banesën e tij personale.
Berisha është njoftuar të paraqitet të premten, në orën 10:00, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Thirrja e tij lidhet me hetimin e ri që është hapur për “krimin shtetëror të 21 janarit”, ku katër protestues humbën jetën përpara godinës së Kryeministrisë gjatë një demonstrate të dhunshme kundër qeverisë së asaj kohe.
Ky zhvillim i fundit shënon një kthesë të fortë në dosjen që prej vitesh është lënë pezull, ndërsa hetimet pritet të rikthejnë në qendër të vëmendjes përgjegjësitë politike dhe shtetërore të asaj dite tragjike.
Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga momentet më të errëta të tranzicionit politik shqiptar. Katër protestues Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën pas të shtënave me armë nga Garda e Republikës gjatë demonstratës së organizuar nga opozita socialiste kundër qeverisë së atëhershme të Sali Berishës. Edhe pse disa efektivë të Gardës u dënuan për neglizhencë, autorët e vrasjeve nuk janë identifikuar plotësisht as sot e kësaj dite.
Hetimet janë rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2023, e cila konstatoi se hetimet e mëparshme ishin penguar nga qeveria e kohës dhe se ishin shkelur të drejtat e viktimave. Familjet e të vrarëve, veçanërisht ajo e Aleks Nikës, kanë paraqitur kallëzime të reja penale ndaj Berishës, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi, duke kërkuar drejtësi pas më shumë se një dekade pritjeje.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



