Guvernatori Sejko dhe drejtues të Bankës së Shqipërisë në lupën e SPA
Dosja e mikrokredive vijon të zgjerohet në SPAK. Pas marrjes në pyetje të ish-rektorit Dhori Kule, hetuesit kanë thirrur jo një, por dy herë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ai është pyetur në fshehtësi nga prokurorja Dorina Bejko, në lidhje me kallëzimin e Dhomës së Përmbaruesve për rolin e Bankës në këtë skemë abuzive që preku mbi 100 mijë qytetarë.
SPAK po heton në disa drejtime të ndara: përveç guvernatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, është hapur edhe një çështje e veçantë mbi kompanitë “MCA” dhe “Final”, me në qendër Olsi Ibron dhe Arben Meskutin, të kallëzuar nga ministri Ulsi Manja. Një hetim i tretë për mashtrime me kredi ka zbuluar lidhje të dyshuara të zyrtarëve të lartë të Bankës, Deniz Deralla dhe Altin Naqe, me skemën famëkeqe të mikrokredive.
Shumë nga këto dosje pritet të bashkohen dhe të dërgohen së shpejti në Gjykatën e Posaçme, por ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga SPAK. Sekuestrot mbi “Micro Credit Albania” dhe “Final” janë vendosur tashmë për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, por nuk dihet ende se kujt i përkasin paratë që janë “pastruar”.
Rasti mori përmasa tragjike kur një nga viktimat, Pal Trashaj, i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë në derën e SPAK. Po ashtu, Olsi Ibro, pronari i MCA, u vetëvra duke u hedhur nga një pallat.
Skema funksiononte përmes joshjes së qytetarëve me njoftime të rreme, kredi të shpejta dhe norma abuzive interesi. Kreditë e këqija, shpesh të pashlyeshme, përfundonin në dorë të këtyre kompanive, duke u kthyer në makth për qytetarët dhe minierë ari për abuzuesit.
Ndërsa Prokuroria dhe SPAK premtojnë drejtësi, opinioni publik pret përgjigje: kush do të mbajë përgjegjësi për një nga skemat më të mëdha mashtruese ndaj qytetarëve të zakonshëm në Shqipëri?