Sekuestrohet mjeti super luksoz në Tiranë, u vodh në Gjermani
Një automjet luksoz me vlerë rreth 250 mijë euro është sekuestruar në Tiranë, pasi rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Bëhet fjalë për një mjet tip Mercedes-Benz AMG G63, i cili u identifikua nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme në kuadër të operacionit “Stolen line”.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore është shpallur në kërkim një shtetas 34-vjeçar me inicialet A. L., i dyshuar për trafikimin e automjetit drejt Shqipërisë me qëllim shitjen.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve për goditjen e trafikut të automjeteve të vjedhura jashtë vendit, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
“Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u sekuestrua 1 automjet tip “Mercedes-Benz AMG G63”, me vlerë rreth 250 000 euro, pasi nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Nga veprimet hetimore u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 34 vjeç, i cili dyshohet se e ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Punohet për kapjen e 34-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



