“Selfie me të dyshuarin”, drejtësia e re, edicioni ‘fashion week’ në KQZ

Flamur Vezaj 

Mbase nuk keni dëgjuar, por dje ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme në Tiranë: sfilata e drejtësisë me pjesëmarrje VIP-ave! Në pasarelë, krejt të buzëqeshur, parakaluan: Ilirian Celibashi i KQZ-së, Altin Dumani i SPAK-ut, Olsian Çela i Prokurorisë së Përgjithshme dhe… padyshim ylli i mbrëmjes, Ilir Proda Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Çfarë elegance, çfarë rroba firmato, lubrifikim të flokëve e mjekrës, lustrim këpucësh e çfarë harmonie, për pak do mendonim se kishin dalë të shpallnin ndonjë reformë, jo thjesht për të bërë poza për kamerat!

Po prit një çikë… mos është kjo puna juaj?! Apo jeni kthyer në influencerë të drejtësisë!!? Nga hetimi dhe arrestimi i atyre që blejnë vota, tek fryrja e mediave me foto “look at us”.

Më i bukuri i paradës? Kush tjetër veç dyshes, Dumani-Proda. Jo për gjë, por e dini besoj që në shtator 2024, prokurorët “urdhër zbatues” të Dumanit i sekuestruan telefonin Prodes për dyshime serioze se kishte dekonspiruar operacionin kundër grupit kriminal Çopja në Elbasan. Dhe sot? Ja ku janë bashkë, sikur kanë shkuar për dasmë, jo për drejtësi.

Na thoni tani: gjetët gjë në atë telefon, apo thjesht e kthyet që të bënte storie me kolegët? Çfarë ndodhi me hetimin për nxjerrje të sekretit hetimor? Çfarë ndodhi me Franc e Hajdar Çopjën që “çuditërisht” nuk u kapën?

Ky nuk është më shtet ligjor, është reality show edhe spote fushate… Dhe ne s’po dimë më nëse jemi publiku apo viktima e rradhës.

Publikuar nga Publik Media