Serbia voton sot mes tensione, shqiptarët në garë me listë të përbashkët
Qytetarët e Serbisë votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një moment të tensionuar politik, të shoqëruar nga protesta kundër pushtetit të presidentit Aleksandër Vuçiç.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë. Partitë politike shqiptare janë bashkuar në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me synimin për të rritur përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë. Deri më tani, zëri politik i shqiptarëve të kësaj zone në Parlament është përfaqësuar nga deputeti Shaip Kamberi.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat vendase, qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe procesi zgjedhor do të vijojë deri në orën 20:00. Për të votuar, qytetarët duhet të paraqesin një dokument identifikimi ose pasaportë të vlefshme.
Mbi 6,4 milionë votues dhe 18 lista në garë
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 6.451.292 qytetarë. Në garë janë regjistruar 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë, ndërsa votimi zhvillohet në 8.392 qendra në të gjithë vendin.
Procesi është organizuar edhe për votuesit nga Kosova, për të cilët janë vënë në dispozicion 10 qendra votimi në qytetet Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Mes subjekteve që kërkojnë mbështetjen e qytetarëve janë lista e lidhur me presidentin Aleksandër Vuçiç, ajo e Ivica Daçiçit, lista studentore “Studentët Fitojnë”, si dhe një sërë forcash të tjera politike e përfaqësuesish të pakicave kombëtare.
“Koalicioni Shqiptar”, gara për më shumë përfaqësim
Pjesëmarrja e shqiptarëve përmes një liste të përbashkët përbën një nga zhvillimet me interes të veçantë për Luginën e Preshevës. Bashkimi në një subjekt të vetëm zgjedhor synon të konsolidojë votën shqiptare dhe të sigurojë përfaqësim në institucionet qendrore të Serbisë.
Rezultati i kësaj gare do të tregojë se sa mbështetje do të arrijë të marrë koalicioni dhe çfarë peshe do të ketë përfaqësimi shqiptar në legjislaturën e ardhshme.
Sistemi zgjedhor serb parashikon prag prej 3% të votave të vlefshme për listat e zakonshme politike. Listat e pakicave kombëtare përfitojnë nga pragu natyror, duke u mundësuar pjesëmarrjen në ndarjen e mandateve edhe pa arritur pragun e përgjithshëm, në përputhje me rregullat përkatëse.
Këto janë zgjedhjet e 15-ta parlamentare në Serbi që prej rikthimit të sistemit shumëpartiak në vitin 1990 dhe të dhjetat që zhvillohen para përfundimit të mandatit të zakonshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



