Ylli Manjani
Siç e paralajmërova në fund të korrikut, Edi Rama dhe senatorët e PS do garojnë në pjesën e dytë të listave. Në ato që quhen lista të hapura.
Ishte llogjike dhe lehtësisht e lexueshme taktika e Ramës. Në fakt e ka bërë këtë lëvizje në 2017-ën kur vuri Gramoz Ruçin dhe veten e tij në limitet e fundme të listave në qarqet vlorë e Fier, ku PS u mobilizua në mënyrë ekstreme për të nxjerrë udhëheqësit deputetë. Rezultati ishte bombë.
Tani, kjo lëvizje e Ramës nuk është e pasikletshme për opozitën, për hir të së vërtetës.
Së pari, PS e cila është gjithsesi e motivuar dhe me vota stabël nuk ka nevojë për ekstra motivim dhe, megjithatë e bën këtë taktikë, po PD dhe partitë e tjera të Opozitës e bëjnë dot?!
Kjo pyetje është sfidë dhe siklet njëkohësisht.
Së dyti, a do të rrezikonte Berisha, apo edhe kryetarë të tjerë të partive opozitare të ndiqnin të njëjtën strategji si të Ramës?!
Kujtoj se janë partitë e opozitës që kanë nevojë për ekstra motivim, jo qeveria.
Kujtoj gjithashtu se që të fillojë llogaria e përfitimit të mandateve nga lista e hapur duhet të partia në qark të ketë kaluar 30% të votave.
Së treti, a do ishte motivuese për kandidatët e tjerë në listat e hapura, në ato qarqe ku garojnë udhëheqësit vetë?!
Pra që një kandidat nga lista e hapur të jetë fitues duhet të plotësohen dy kushte:
1. Partia të ketë mbi 30% të votave, në thelb ky është pragu më i lartë i mundshëm për një kandidat që të fitojë dhe,
2. Të jetë më i votuari nga lista e hapur.
Pra kandidati i listës së hapur duhet të punojë dyfish, edhe për partinë që të marrë mbi 30%, edhe për veten që të jetë më i votuari. A mund të kishte një kandidat të dytë në listën e hapur që të fitonte përveç Berishës apo ndonjë senatori të PD?!
Vështirë, me thënë të drejtën.
Dmth PS e ka luksin ti bëjë këto taktika, po PD dhe partitë e Opozitës që luftojnë për mbijetesë?!
Siklet, jo shaka!
Në thelb ky siklet i opozitës mund të rezultojë fatal për balancën politike dhe vetë pluralizmin në vend.
Balanca politike është prishur dukshëm që nga 2017-a dhe po shkon drejt thellimit ekstrem e ndoshta humbjes totale.
Kjo jo vetëm për shkak të sistemit të ndarjes së mandateve, por edhe për shkak të dobësimit ekstrem të opozitës…
Ma za ma keq – thonë andej ka na.