Sfidoi 4 herë burgjet, arrestohet “magjistari” i arratisjeve Taulant Toma
Taulant Toma, shqiptari i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet, është arrestuar në Spanjë pas më shumë se tetë muajsh në kërkim ndërkombëtar.
42-vjeçari, i cili përdorte edhe emrin Admir Dedinca, u vu në pranga në Tarragona të Katalonjës nga Policia Kombëtare spanjolle. Arrestimi është kryer më 23 gusht, ndërsa autoritetet spanjolle e kanë bërë publik operacionin më 26 gusht. Gjatë ndërhyrjes, Toma raportohet se ka kundërshtuar efektivët.
Shqiptari kërkohej nga autoritetet italiane që prej 7 dhjetorit 2025, kur arriti të largohej nga burgu i sigurisë së lartë Opera, në Milano.
Toma është dënuar në Itali për një sërë veprash penale, përfshirë grabitje në vila, vjedhje, armëmbajtje dhe posedim droge. Sipas autoriteteve italiane, atij i kishte mbetur ende për të vuajtur një pjesë e konsiderueshme e dënimit, me përfundimin e tij të parashikuar në vitin 2048.
Si u arratis nga burgu i Milanos
Arratisja e fundit ndodhi më 7 dhjetor 2025, edhe pse Toma konsiderohej një i burgosur me rrezik të lartë arratisjeje.
I vendosur në një qeli në katin e tretë të burgut Opera, ai kishte siguruar disa mjete që i shërbyen për të realizuar planin. Mes tyre ndodheshin një sharrë, një limë, pincë, pjesë metalike dhe çelësa anglezë.
Me këto mjete, 42-vjeçari dëmtoi hekurat e qelisë dhe krijoi hapësirën e nevojshme për të dalë prej saj. Për të kaluar përmes hapjes, ai kishte humbur peshë në mënyrë që të mund të kalonte më lehtë.
Shoku i tij 25-vjeçar i qelisë tentoi të ndiqte të njëjtën rrugë, por nuk arriti të largohej.
Pasi doli nga qelia, Toma zbriti nga një lartësi prej më shumë se 15 metrash duke përdorur çarçafë të lidhur së bashku, të cilët i shërbyen si litar. Por për të fituar lirinë duhej të kapërcente edhe murin rrethues të burgut, rreth gjashtë metra të lartë.
Për këtë pjesë të planit kishte përgatitur një pajisje të improvizuar. Ai kishte bashkuar bishta fshesash me shirit ngjitës dhe në fund kishte vendosur një grep metalik. Pajisja i mundësoi të kapte pjesën e sipërme të murit dhe të kalonte në anën tjetër.
Kamerat e sigurisë e regjistruan duke u larguar në këmbë rreth orës 06:30. Vetëm rreth orës 08:00 gardianët konstatuan mungesën e tij, pasi gjetën shtratin bosh.
Pas arratisjes, hetuesit zbuluan edhe një furgon të braktisur në një zonë pushimi pranë unazës rrugore. Gjetja e automjetit ngriti dyshime se shqiptari mund të kishte pasur ndihmën e personave jashtë burgut.
Fakti që arratisja ndodhi në një ditë feste ishte një tjetër element që tërhoqi vëmendjen e hetuesve, pasi në atë periudhë numri i personelit në burg ishte më i reduktuar.
Autoritetet shqyrtuan edhe rolin e bashkëvuajtësit të tij 25-vjeçar, për të cilin u ngritën dyshime se mund të kishte pasur dijeni për planin ose të kishte ndihmuar në përgatitjen e arratisjes.
Arratisja e katërt e “magjistarit”
Largimi nga burgu Opera ishte arratisja e katërt e Taulant Tomës.
Herën e parë, ai u arratis në vitin 2009 nga burgu i Ternit, në Umbria, gjatë kohës kur po zhvillohej një ndeshje futbolli. Pas disa muajsh në arrati, autoritetet arritën ta lokalizonin në Pavia, ku edhe u arrestua.
Në shkurt të vitit 2013, Toma realizoi arratisjen e dytë, këtë herë nga një burg i sigurisë së lartë në Parma. Edhe në këtë rast përdori mjete për të prerë hekurat. Pasi u largua nga Italia, ai u lokalizua në Belgjikë.
Arratisja e tretë ishte edhe më e pazakontë. Sipas hetimeve, ajo u organizua me ndihmën e disa personave nga jashtë. Një automjet u pozicionua pranë hyrjes së burgut të rezervuar për furnitorët, ndërsa një efektiv u sulmua dhe u mor peng.
Brenda burgut u krijua një situatë kaotike për të shpërqendruar rojet. Disa të burgosur formuan një “piramidë njerëzore”, përmes së cilës Toma arriti të ngjitej dhe të kapërcente murin rrethues.
Pas arrestimit në Belgjikë, ai u ekstradua drejt Italisë dhe u rikthye në burg. Por qëndrimi i tij në qeli nuk zgjati deri në përfundimin e dënimit. Në dhjetor 2025, Toma realizoi arratisjen e tij të katërt.
Tashmë, pas më shumë se tetë muajsh në arrati, “magjistari” shqiptar i arratisjeve është arrestuar në Spanjë. Hapi i radhës pritet të jetë procedura për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku do të duhet të përballet sërish me drejtësinë dhe të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



