Mosbesues në institucionet shqiptare të rendit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një thirrje të pazakontë për qytetarët shqiptarë, duke i ftuar që çdo informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e parave ta raportojnë drejtpërdrejt tek Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), duke anashkaluar plotësisht institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit.
Në deklaratën zyrtare të ambasadës thuhet se “DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]”. Sipas ambasadës, të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta.
Ky mesazh konsiderohet si një tregues i qartë mosbesimi ndaj strukturave hetimore dhe policisë shqiptare, të cilat prej kohësh janë nën akuzë për bashkëpunim me grupet kriminale dhe dekonspirim të operacioneve.
Në operacionin e fundit të drejtuar nga antimafia italiane, dolën të përfshirë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për ndihmë dhe bashkëpunim me rrjetet e trafikut të drogës.
Rasti nuk është i izoluar: gjatë viteve të fundit, dhjetëra efektivë policie janë arrestuar ose hetuar për përfshirje në rrjete kriminale, duke minuar besimin publik dhe ndërkombëtar tek forcat shqiptare të rendit.
Thirrja direkte e DEA-s vjen në një moment kritik për Shqipërinë, e cila ndodhet në qendër të vëmendjes së partnerëve ndërkombëtarë për rolin e saj si pikë kyçe tranziti për trafikun e narkotikëve drejt Evropës dhe më tej.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në SHBA,” thuhet në deklaratë.
Ky hap i SHBA mund të lexohet edhe si një sinjal alarmi për domosdoshmërinë e reformimit të thellë të strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri, si dhe një ftesë për qytetarët që të mos mbajnë heshtje përballë krimit të organizuar.