Shefi i Rrugores Roven Zeka tentoi të arratisej dhe “theu” gjunjtë

Kronikë |

SPAK ka lëshuar ditën e sotme tre urdhër-arreste për zyrtarë të Policisë Rrugore të Tiranës, të dyshuar si të përfshirë në një skemë korrupsioni, ku përmendet edhe mbyllja e paligjshme e një aksidenti rrugor në këmbim të parave.

Në krye të listës është Roven Zeka, Shefi i Qarkullimit Rrugor në Tiranë, një nga postet më të rëndësishme në hierarkinë e Policisë Rrugore shqiptare. Arrestimi i tij ka marrë ngjyrime groteske dhe absurde, pasi në momentin që përfaqësues të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) dhe agjentët e BKH-së janë paraqitur për ta ndaluar, Zeka ka tentuar të arratiset me vrap.

Sipas burimeve të Publik.al, arratisja ka qenë jetëshkurtër: ai është rrëzuar në tokë, ka dëmtuar gjunjët dhe është prangosur në vend nga agjentët. Një skenë që do t’i kishte hije ndonjë komedie policore, por që në realitet tregon thellësinë e degraduar ku ka përfunduar Policia e Shtetit.

Përveç Zekës, urdhër-arrest është lëshuar edhe për Sokol Novakun, shef i Sektorit të Aksidenteve, dhe për Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore. Të tre këta zyrtarë akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se i kanë marrë para një qytetareje për të “mbyllur” një aksident.

Një e shkuar problematike

Roven Zeka nuk është një emër i panjohur për publikun.
Në vitin 2019 ai u kritikua ashpër pas publikimit të një fotografie skandaloze, ku shfaqej duke tërhequr zvarrë një fëmijë të mitur që ishte kapur pas kofanos së një makine policie, në tentativë për të ndaluar arrestimin e të atit. Fëmija përfundoi me një krah të thyer, ndërsa Zeka nuk pati asnjë ndëshkim institucional.

Ironikisht, ai vazhdoi karrierën dhe madje u promovua. Por sot, karriera e tij duket se është përmbyllur me pranga dhe tentativë arratisjeje qesharake.

Publikuar nga Publik Media