Shehaj fiton gjyqin ndaj Ulajt, përballet me kallëzim penal në SPAK
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka dalë fitues në përballjen gjyqësore me biznesmenin Bashkim Ulaj lidhur me çështjen e Rrjollit, duke e cilësuar këtë vendim si një betejë të fituar kundër padrejtësive.
Në reagimin e tij publik, Shehaj nuk i ka kursyer akuzat, duke e etiketuar Ulajn si të lidhur politikisht dhe duke theksuar se nuk do të tërhiqet përballë asnjë situate që, sipas tij, cenon interesat e qytetarëve shqiptarë. Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për trajtimin mediatik të çështjes, duke theksuar se lajmi për padinë ndaj tij ishte gjerësisht i përhapur, ndërsa vendimi në favor të tij nuk mori të njëjtën vëmendje.
Megjithatë, situata për deputetin duket se nuk përfundon me këtë fitore. Burime bëjnë me dije se në drejtim të tij ka mbërritur një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke hapur një tjetër kapitull përballjeje ligjore.
Kallëzimi është dorëzuar lidhur me deklaratat e pasurisë së Shehajt për periudhën 2021–2025. Sipas pretendimeve të paraqitura, janë evidentuar mospërputhje të konsiderueshme në të dhënat financiare të deklaruara.
Në fokus të kallëzimit është një transaksion i dyshuar, ku pretendohet se një pasuri është shitur me një vlerë disa herë më të lartë se ajo e blerjes, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin dhe justifikimin e diferencës. Po ashtu, kërkohen sqarime lidhur me deklarimet kontradiktore për sipërfaqen e një vile, si dhe për pasuri të tjera, investime dhe të ardhura të konsiderueshme të raportuara si “të tjera”, pa një shpjegim të detajuar mbi origjinën e tyre.
Në vijim, pritet që deputeti Shehaj të thirret për të dhënë shpjegime pranë SPAK, ndërsa zhvillimet e kësaj çështjeje pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në debatin publik dhe politik në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



