Sherri me thika me 3 të plagosur në Shkodër, lirohen adolehentët
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të rrahjes masive midis adoleshentëve, e ndodhur disa ditë më parë pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka” në Shkodër.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, kryesisht 17–18 vjeç, të ndarë në dy grupe, të cilët fillimisht u konfliktuan me grushte dhe më pas me sende të forta, duke përdorur edhe armë të ftohta (thikë). Si pasojë, tre adoleshentë mbetën të lënduar lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet e policisë tregojnë se konflikti ka nisur pas një përplasjeje të mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se ndërhyri për të mbrojtur vëllain e tij, një 17-vjeçar, duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë. Pamjet filmike tregojnë bashkimin e dy grupeve dhe momentin e përplasjes fizike, që zgjati rreth një minutë para se situata të shpërndahej.
Pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe njësia “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, sekuestruan kamerat e sigurisë dhe nisën hetimet. Fillimisht u arrestuan Klevin Thepi dhe Doronesto Kulla, ndërsa për pesë të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.
Paralelisht, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan një 17-vjeçar në Prokurori pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e dyshuar narkotike kanabis. Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt dhe hetimet vazhdojnë për dokumentimin ligjor të plotë të ngjarjes.
Arsyet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet se konflikti ka lindur për motive të dobta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



