Shipëria digjet, Rama dhe Blendi Gonxhja “krihet”
Kur kryeministri paguan koncerte me lekët e ilaçeve

Naim Noka
Shprehja e lashtë romake “Panem et Circenses” (Bukë dhe Cirk) po gjen mishërimin e saj më të pastër dhe më të dhimbshëm në Shqipërinë e sotme. Ndërsa qytetarët përballen me një realitet ku spitalet vuajnë për medikamente bazë, pensionet mbeten në nivele mbijetese dhe pasiguria mbi pronën private mbyt çdo ditë e më shumë shpresën, prioritetet e qeverisë duken të shkputura plotësisht nga toka.
Ky Akt Normativ i datës 6 Korrik 2026 është dëshmia e radhës e një arrogance të skajshme financiare. Me një të rënë të lapsit, 400,000,000 lekë (afërsisht 4 milionë euro) kalojnë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit direkt në llogaritë e një organizimi privat për koncertin e Kanye West.
Arsyetimi zyrtar pas këtij vendimi mbështetet mbi “promovimin e turizmit dhe imazhit”. Por pyetja që çdo qytetar ka të drejtë të bëjë sot është: Cili është imazhi real i një vendi?
Spitalet pa ilaçe: Ndërkohë që miliona euro taksa shkojnë për të subvencionuar dështimin e shitjes së biletave të një ylli ndërkombëtar, pacientët shqiptarë vazhdojnë të blejnë vetë nga xhepi ilaçet e listës së rimbursueshme.
Për prindërit dhe gjyshërit tanë, rritja e pensioneve llogaritet gjithmonë me pikatore, nën pretekstin e “mungesës së fondeve në buxhet”. Por për skenografinë e një nate, fondet gjenden brenda 24 orëve.
Përdorimi i Fondit Rezervë: Fondi rezervë i shtetit ekziston për raste emergjencash kombëtare, kriza apo nevoja urgjente publike. Kthimi i tij në një “portofol emergjence” për të shpëtuar biznesin e koncerteve dëshmon keqmenaxhim të hapur të parave të publikut.
“Shqipëria digjet, e qeveria krihet.” Kjo nuk është thjesht një fjalë e urtë, është skandali i radhës i shkruar e i firmosur në Fletoren Zyrtare.
Kur dështon Blendi Goxhja dhe biletat nuk shiten, rreziku duhet të jetë i sipërmarrësit, jo i taksapaguesit shqiptar. Paratë që mund të përdoren për ilaçe në spitale, i çojmë për koncertin e Kanye West.
Ky vendim tregon se për këtë qeverisje, fasada vlen më shumë se substanca; dritat e stadiumit janë më të rëndësishme se dritat në dhomat e urgjencave mjekësore. Kjo mospërputhje flagrante mes nevojave të popullit dhe shpenzimeve të luksit të qeverisë nuk është thjesht çështje menaxhimi, është një fyerje e hapur ndaj dinjitetit të çdo qytetari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



