E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkarkimi i Ilir Prodës, rastësi apo lëvizje e kalkuluar në prapaskenë?
Lajme

Shkarkimi i Ilir Prodës, rastësi apo lëvizje e kalkuluar në prapaskenë?

Shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u justifikua publikisht me një episod që, në pamje të parë, duket periferik: hedhja e disa fishekzjarreve pranë ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha nga protestues të opozitës. Por sa më shumë kalon koha, aq më tepër ky shpjegim tingëllon i paplotë.

Nëse një incident i tillë mjaftoi për të rrëzuar kryepolicin e vendit, atëherë bien ndesh me këtë version narrativat e ndërtuara më herët për peshën dhe ndikimin e tij në sistem. Për muaj me radhë, në qarqe politike dhe mediatike është folur për lidhje të forta me qeverinë, për rol kyç në balancat e brendshme dhe për tolerancë ndaj figurave problematike të botës së krimit. Në këtë pikë, lind një dilemë logjike: ose Proda ishte një hallkë e rëndësishme në arkitekturën e pushtetit, ose ishte një drejtues i zëvendësueshëm që u largua për një episod të izoluar. Të dyja bashkë vështirë se qëndrojnë.

Ngjarja me artistët e fondacionit Art Explora dhe simbolika e ish-vilës së diktatorit u shndërruan në katalizatorin e vendimit. Por lëvizja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më pas vizitoi ambientin për të kërkuar falje publike, u interpretua si një akt me mesazh të dyfishtë: distancim nga incidenti dhe, njëkohësisht, konfirmim i sakrifikimit të drejtuesit të policisë.

Megjithatë, përtej episodit simbolik, drejtimi i Prodës ka qenë i shoqëruar me polemika të forta. I emëruar në tetor 2024 pas largimit të Muhamet Rrumbullaku, ai mori detyrën në një moment kur pritshmëritë për rezultate konkrete në luftën kundër krimit ishin të larta. Por disa operacione të bujshme nuk prodhuan rezultatet e pritshme.

Rasti i Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, i cili arriti t’i shmanget arrestimit pas një dosjeje të ardhur nga autoritetet italiane, u konsiderua si një dështim serioz. Po ashtu, operacionet e SPAK-ut ndaj grupit të Suel Çelës, ku figura qëndrore mbeti në arrati, shtuan dyshimet për rrjedhje informacioni dhe dekonspirim.

Edhe dosje të tjera, si ajo e tenderave të AKSHI-t, ku emra si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri u larguan nga vendi përpara se të përballeshin me drejtësinë, ushqyen perceptimin e një sistemi që nuk funksiononte me efikasitetin e duhur.

Në disa dalje publike, drejtues të SPAK-ut, përfshirë kreun e institucionit Altin Dumani, kanë ngritur shqetësime për lidhje të zyrtarëve të policisë me elementë kriminalë dhe për nevojën e strukturave të pavarura që të mos varen nga zinxhiri tradicional i komandës. Vetë ky debat institucional tregon një krizë besimi më të thellë sesa një incident me fishekzjarre.

Në këtë sfond, largimi i Ilir Prodës duket më tepër si një lëvizje strategjike sesa si reagim spontan. Kur një drejtues me kaq shumë peshë politike largohet për një episod simbolik, pyetja mbetet e hapur: ishte ky shkaku real, apo thjesht momenti i përshtatshëm për të mbyllur një kapitull që kishte kohë që ishte vendosur të përfundonte?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.