“Shkartisje” në horizont, Rama gati riformatimin e qeverisë
Kryeministri Edi Rama pritet të ndërmarrë në ditët në vijim një riformatim të thellë të kabinetit qeveritar, në një moment të ndjeshëm politik të diktuar nga zhvillimet e fundit institucionale dhe vendimi i Gjykata Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Balluku.
Burime politike flasin për një “shkartisje” të gjerë në strukturën qeveritare, ku lëvizja e parë pritet të jetë zëvendësimi i postit të zv/kryeministrit dhe njëkohësisht i drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, funksione që mbaheshin nga Balluku.
Në korridoret e politikës përflitet si kandidate kryesore për zv/kryeministre Delina Ibrahimaj, aktualisht ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit. Ajo konsiderohet një profil teknik me eksperiencë të gjatë në administratë, pasi ka mbajtur më herët postet e ministres së Financave dhe Ekonomisë, drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoreshës së INSTAT. Ibrahimaj ka përfunduar doktoraturën në Bankë dhe Financë në Universitetin “Tor Vergata” në Romë dhe zotëron master nga “Luigi Bocconi” në Milano.
Në diskutimet informale është përmendur edhe emri i Ervin Demo si kandidat potencial për postin e zv/kryeministrit. Sipas burimeve, përfshirja e tij do të synonte një balancim më të fortë mes profilit politik dhe atij teknik në strukturën e re qeveritare.
Lëvizje të tjera në kabinet
Riformatimi nuk pritet të ndalet vetëm te posti i zv/kryeministrit. Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se ndryshime mund të prekin edhe disa ministri kyçe.
Ministrja Albana Koçiu përflitet si një nga emrat që mund të largohet nga detyra, për shkak të rezultateve të konsideruara nën pritshmëritë. Ndërkohë, edhe ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari mund të zhvendoset në një tjetër funksion brenda strukturës qeveritare.
Një nga emrat më të përfolur për t’u bërë pjesë e kabinetit të ri është Erald Jonuzaj, aktualisht drejtor juridik në Kryeministri, i cili shihet si një profil teknik që mund të marrë drejtimin e një prej ministrive më të rëndësishme.
Në fund të nëntorit, SPAK njoftoi akuzën ndaj Ballukut në kuadër të hetimeve për tunelin e Llogarasë, ndërsa GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra. Qeveria e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar si ndërhyrje në balancën e pushteteve.
Më pas, SPAK kërkoi në Kuvend heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrest. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e ka vendosur kryeministrin përballë nevojës për të emëruar një zëvendës të ri dhe për të ristrukturuar kabinetin.
Vendimi përfundimtar për emrin e zv/kryeministrit dhe përbërjen e re të qeverisë pritet të bëhet publik në ditët në vijim në Tiranë, në një moment delikat politik për mazhorancën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



