Shkodra e zvargun në zhegun afrikan
Në ditët e para të Korrikut e mandej përgjatë gjithë muajit Gusht, në fb nuk shoh tjetër nga Shkodra përvec festës masive rrugëve e bareve të qytetit. Zona muzeale, asht padyshim zemra e kësaj gjallnie e cila promovohet gjithandej. Djem e vajza që kërcejnë hareshëm në këtë atmosferë mini-Broadway.
Shoh video G’juhadoli cep më cep, e pak ma andej pedonalja, e cila merr ngjyra feste të pandalun.
A asht kjo ajo ca ndodh në Shkodër?
A asht kjo pasqyra e Shkodrës.
Në fakt kësaj i thonë me rrejt vedin.
Sepse me sa shohim nëpër Aheng-Zona, Rock-Zona e Fan- Zona, duket me thanë lum na ku jetojmë.
Por ka edhe një Shkodër tjetër. Ajo që nuk begeniset nga postimet tona. Nuk ia ban dora kujt me shkrep një foto apo me regjistru një video.
Sepse asht ajo… Shkodra e vdekun. E pa puls, e pa frymë, e pa ritëm.
Asht ajo Shkodra e zvargun, që zvarrit kambët ditë për ditë, në këtë zheg afrikan.
Askujt nuk i duket interesante ajo Shkodra e periferisë, me skamllekun, me pisllekun, me hallet e mërzitë, me bukë e pa bukë, me sytë e trishtë të fëmijëve që as nuk e kanë idenë se çka ndodh në qendrën e hareshme të qytetit ku zenjinat festojnë nëpër rrugicat “veneciane” të Idromenos.
Shkodra e periferisë, duket edhe ma kufomë në ditë zhegu. Nëpër shpijat me blloqe betoni ku nxjerr kryt ndonjë tendë hardhie, ka heshtje.
Kur bjen mbramja, dhe na vrapojmë me ba fotot me veshjet shik e me fustanet rrëzëllitëse në lokalet e qendrës, nanat e periferisë, mbasi kanë rahatu fëmijët me ça kan mujt e ça ju ka mbet në shpi, thërrasin në telefon djemtë adoleshenta që presin letrat e azilit kampeve të Europës.
“He zemra e nans, ça bane sot? A patë t’xet? Këtej na mbyti besa. Ventilatori na asht prish. Plasme gjithë ditën”.
Djali andej telefonit ngashërehet. Asht ala i vogël me marrë në dorë hallet e shpisë. Vetëm belbëzon sa me zor ndigjohet: “Hajt nan se ban Zoti mirë e gjej diçka me punu”.
“Ti veç t’jesh mirë zemër se kollaj puna e jonë”, mbyll telefonin ajo, dhe hedh sytë nga të vegjlit që sillen sa në nji divan e sa në tjetrin duke mendu edhe sa javë kan me prit për me dal me hangër nji akullore aty te dyqani i lagjes. Por ma përpara baba duhet me mbledh do lek me fshi listen e gjatë të harxheve. Janë me mijëra lista të tilla nëpër Shkodër. Besoj i dini. Unë i thërras “Listat e ûsë”, sepse vetëm ûja mundet me ba aq shumë lista, dhe aq të gjata në tanë marketet e periferisë.
Nejse.
A ka pyt ndonjëherë kush vedin se sa djem i kanë ik qytetit vetëm vitin e fundit?
Apo nuk ia vlen, se na jena qytet festiv, dhe reflektorat e fb dhe instagramit nuk kanë interes për shifra. Ata dojnë vetëm drita, cirk e fishekzjarre.
Shpitë me blloqe betoni e dyer llamarine të periferisë nuk janë aspak në modë.
Randsi ka që në verë në Shkodër festohet. Vijnë emigrantat. Ka Euro gjithandej.
Kjo ia vlen me u tregu non stop. Asht lajm që shet mirë.
Ndërkohë sot në darkë një djalë shkodran e ulën nga autobusi në Kroaci dhe do ta kthejnë mbrapsht.
Një emigrant ma pak.
Një qytetar ma shumë për statistikat optimiste të qytetit tonë kaq t’hareshëm.
Mirësevini në Shkodër!
Festa sa ka nis!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



