Shkrirja e Kadastrës së Vlorës, ASHK zbulon prapaskenat e zhvendosjes
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar zyrtarisht lidhur me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke sqaruar se ky veprim është pjesë e një riorganizimi të nisur prej disa vitesh dhe nuk përbën një praktikë të re.
Sipas Agjencisë, një pjesë e proceseve kadastrale për disa drejtori vendore janë prej kohësh të centralizuara në Tiranë, në kuadër të një modeli organizimi që synon rritjen e efikasitetit dhe optimizimin e burimeve njerëzore dhe administrative.
Në reagim theksohet se të gjitha aplikimet për shërbime kadastrale kryhen online përmes portalit e-Albania, ndërsa shërbimet ofrohen elektronikisht, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit. Dokumentacioni shoqërues, përveçse ngarkohet në sistem, dërgohet edhe përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë përkatëse, pavarësisht vendndodhjes fizike të saj.
Agjencia bën me dije se procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021, fillimisht me Durrësin dhe Krujën, për të vijuar më pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz–Vorën dhe së fundmi edhe me Vlorën.
Në kuadër të këtij riorganizimi, edhe pjesa e mbetur e stafit të Kadastrës në Vlorë po zhvendoset në Tiranë, me qëllim përshpejtimin e trajtimit të dosjeve dhe unifikimin e praktikave të punës. Sipas Agjencisë, falë digjitalizimit, proceset ligjore dhe hartografike mund të kryhen në distancë, pa qenë e nevojshme prania fizike në territorin ku ndodhet prona.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron banorët e Vlorës se kjo riorganizim nuk do të ndikojë negativisht në shërbimet për qytetarët, por përkundrazi synon përmirësimin e tyre, përshpejtimin e legalizimeve dhe përfundimin e procesit të Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura të qarkut.
Institucioni nënvizon se mbetet i angazhuar të ofrojë shërbime më të shpejta, më transparente dhe më të besueshme përmes digjitalizimit dhe modernizimit të vazhdueshëm të proceseve kadastrale.
Reagimi i plotë:
Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale.
Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.
Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.
Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.
Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë.
Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.
Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi.
Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



