E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkunduni o njerëz!
Lajme

Shkunduni o njerëz!

­Shqipëria e vitit 2025 vazhdon të jetojë në një kontrast tragjik: në sallat operatore të spitaleve publike fiken dritat, ndërsa në zyrat e pushtetit ndizen projektet qindra-milionëshe që askush nuk i sheh dhe askush nuk i kërkoi. Kjo nuk është metaforë. Është realiteti më brutal që mund t’i paraqitet një vendi që pretendon të jetë në prag të Europës.

Shkunduni o njerëz! Sepse një ditë mund të jeni ju, një i afërm, një fëmijë, që futet për një operacion rutinë dhe përballet me errësirën më absurde të këtij vendi. Errësirën që nuk vjen nga mungesa e energjisë, por nga mungesa e përgjegjësisë.

Në shekullin XXI, në vendin që shpenzon miliona për tunele pa funksion, për inceneratorë fantazmë dhe për anije energjitike që vetëm gëlltisin para, sistemi shëndetësor funksionon me gjeneratorë që ngelen në mes të rrugës dhe me pajisje që dështojnë pikërisht në momentin kur njeriu është më i pambrojtur. A ka turp më të madh për një shtet? A ka dështim më të madh për një qeveri?

Qytetarëve u kërkohet të paguajnë taksa gjithnjë e më të larta, por marrin shërbime gjithnjë e më të rrezikshme. Kryeministri, i rrethuar nga ministre-kukulla që tundin kokën sa herë që kërkohet një justifikim i radhës, tregohet i aftë vetëm në një gjë: të gjejë projekte gjigante ku humbin miliona. Në tunele, në inceneratorë, në kontrata me kompani anonime që zhduken sapo mbaron konferenca për shtyp.

Por nuk është tek inceneratorët drama më e madhe — është tek respiratori që fiket, tek tavolina e operacionit që ngelet në terr, tek frika që ndez zemrën e një prindi që pret jashtë. Është aty ku shteti duhet të jetë më i fortë, por dorëzohet më shpejt.

Dhe ndërsa spitalet mbeten në prag kolapsi, qeveria vazhdon të na tregojë makete, premtime dhe projekte që vetëm zmadhojnë bilancin e borxhit publik dhe varfërinë morale të këtij vendi.

Kjo situatë nuk është as aksident, as fatkeqësi: është produkt i një modeli qeverisjeje ku investohet aty ku ka fitim për pakicën, jo aty ku ka jetë për shumicën.

Shkunduni o njerëz! Sepse heshtja është miratimi i vetëm që ky sistem kërkon. Nëse nuk kërkojmë llogari sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Dhe errësira që sot bie mbi sallat e operacionit, nesër do bjerë mbi të gjithë këtë vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.