Shkurtimet në Arsimin dhe Shëndetësinë: Një goditje e re ndaj të ardhmes së vendit

Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të rënda demografike, ekonomike dhe sociale, vendimet e fundit buxhetore tregojnë një mungesë të thellë vizioni dhe përkushtimi për të ardhmen e vendit. Akti i tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 ka sjellë një tjetër goditje të rëndë për dy sektorët më jetikë: arsimin dhe shëndetësinë.

Në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit,  janë viktima të një politike të papërgjegjshme financiare. Shkurtimet përkatëse prej 2.3 miliardë dhe 1 miliard lekësh në këto sektorë janë dëshmi e indiferencës së qeverisë ndaj sfidave jetësore të qytetarëve shqiptarë.

Shifrat që flasin për një krizë

Shifrat tregojnë një tablo alarmante:

•Financimet për arsimin këtë vit përbëjnë vetëm 7.1% të buxhetit total, një rënie drastike nga 9.7% në vitin e kaluar dhe nga 11.4% në vitin 2019.

•Financimet për shëndetësinë, nga ana tjetër, janë ulur në 9.8% të shpenzimeve buxhetore, duke rënë ndjeshëm nga 10.4% në vitin 2019.

Këto ulje ndodhin në një moment kur Shqipëria po përjeton rritje të sëmundjeve kronike dhe një krizë të vazhdueshme në sistemin arsimor. Statistikat e shëndetit publik tregojnë një rritje vjetore prej 5% të sëmundjeve kronike, ndërsa rezultatet e dobëta në testin PISA janë një kambanë alarmi për gjendjen e arsimit.

Një qeveri që shkurton në vend të investojë

Në vend që të përballet me sfidat e plakjes së popullsisë, emigracionit masiv dhe rënies së lindshmërisë, qeveria zgjedh të shkurtojë fondet për sektorët që do të duhej të ishin prioritet absolut. Arsimi dhe shëndetësia nuk janë vetëm shërbime sociale; ato janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja ekonomike dhe sociale e një vendi.

Shkurtimi i këtyre fondeve tregon një mungesë të plotë vizioni strategjik. Një popullsi e arsimuar dhe e shëndetshme është baza e çdo zhvillimi afatgjatë, veçanërisht në një vend si Shqipëria, ku emigracioni dhe varfëria janë kërcënime të përhershme.

Përfitime për pakicën, varfëri për shumicën

Ndërkohë që fondet për arsimin dhe shëndetësinë shkurtohen, Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me nivelin më të lartë të rrezikut të varfërisë në Europë, me 42% të popullsisë në këtë kategori, sipas Eurostat. Në të njëjtën kohë, projektet dhe tenderat klientelistë vazhdojnë të marrin pjesën më të madhe të buxhetit.

Pasojat e heshtura të një politike të gabuar

Rënia e investimeve në arsim dhe shëndetësi nuk do të ketë pasoja vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen e vendit. Një sistem arsimor i dobët do të prodhojë një forcë pune të paaftë për t’u përballur me sfidat e ekonomisë globale. Një sistem shëndetësor i nënfinancuar do të rëndojë mbi familjet shqiptare dhe do të rrisë varfërinë.

Është e papranueshme që në një kohë kur qytetarët shqiptarë po përballen me një krizë të shumëfishtë, qeveria të zgjedhë të shkurtjë financimet për sektorët kyç. Kjo politikë është një fyerje për qytetarët dhe një tradhti ndaj brezave të ardhshëm.

Shqipëria nuk mund të përballojë një politikë të tillë të papërgjegjshme. Është koha për veprim dhe për një menaxhim më të drejtë të burimeve publike, që t’i shërbejnë shumicës dhe jo një pakice të privilegjuar.

Publikuar nga Publik Media