E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shoferët me shpejtësi ‘skëterrë’, Skënder Hita: Shifrat janë alarmante!
Lajme

Shoferët me shpejtësi ‘skëterrë’, Skënder Hita: Shifrat janë alarmante!

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore të vendit për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke përdorur radarë, dronë dhe pajisje të tjera inteligjente.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 1100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë. Sipas tij, në disa raste automjetet janë konstatuar duke lëvizur me shpejtësi deri në 230 km/h.

“Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë inspektoi nga afër kontrollet e Policisë Rrugore në aksin Rrogozhinë-Durrës, ku janë vendosur pajisje që identifikojnë në mënyrë automatike automjetet që tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, deklaroi se pajisje të ngjashme janë vendosur edhe në akse të tjera kryesore të vendit, përfshirë Rrugën e Kombit.

“Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit, të ngjashme, që janë të dislokuara në akset kryesore të vendit”, tha Vatoci.

1075 patenta të hequra për humbjen e pikëve

Përveç shkeljeve të shpejtësisë, Policia ka bërë publike edhe të dhëna të tjera që lidhen me sigurinë rrugore.

Sipas Skënder Hitës, gjatë një viti 1075 drejtuesve të automjeteve në të gjithë vendin u është hequr leja e drejtimit, pasi kanë humbur të gjitha pikët.

Ndërkohë, Policia ka proceduar edhe 1060 raste për drejtim automjeti pa leje drejtimi.

“Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore”, deklaroi Hita.

Kamerat e Trafikut Rrugor do t’i bashkohen kontrolleve

Kreu i Policisë së Shtetit paralajmëroi se kontrollet në rrugë do të intensifikohen më tej.

Së shpejti pritet të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen me sistemin e Policisë për evidentimin e shkeljeve në akset kryesore interurbane.

Sipas Hitës, objektivi i këtij sistemi nuk është vetëm ndëshkimi i drejtuesve që shkelin rregullat, por edhe parandalimi i aksidenteve rrugore.

“Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale”, shtoi ai.

Hita u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, të mos ngasin automjetet nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të respektojnë kufijtë e shpejtësisë.

“Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, përfundoi Hita.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.