Shoku Bardhyl, Gysi e ka menderosur! Heshtja të nderonte!
Nën ethet e rënda të një agonie që nuk e fsheh dot më as me regji qendrore, Rama e ndali dalldinë e radhës në Durrësin e Gysit. Kryeministri u përpoq të evokonte emocione të vjetra socialiste me miellin e prishur të Rilindjes dhe me verërat miliona euro të Ergysit.
Kulmi i shfaqjes groteske ishte nderimi i Bardhyl Agasit, ish-deputetit socialist, i cili u vlerësua me një “kujtesë mirënjohjeje”.
Një lëvizje që nuk ishte as respekt për historinë dhe as nostalgji, por një akt i pastër pengmarrjeje.
Një arkiv familjar pengu për të sotmen dhe një përpjekje e dëshpëruar për të menaxhuar bëmat e Gysit!
Bardhyl Agasi, sot në pension, nuk ka asnjë rëndesë penale e as politike. Ai kishte kohë që me paratë që linte Gysi në sirtarë dhe xhepa merrej me libra poezie, madje harxhonte kohë me promovimin e tyre në hotele luksoze të Tiranës.
Nuk është problemi e shkuara e Bardhylit, por e sotmja e të birit.
Dhe kur biri Ergys Agasi e ka menderosur kaq trashë, baba Bardhyli duhet të paktën të heshtë, të refuzojë dekoratat e përgjakura politike dhe të mos pranojë të përdoret si plastelinë humane për zullumet e të birit. Sinqerisht Bardhyli nuk ka faj pse Rama e bëri de fakto kryeministër Gysin, duke mbledhur në zyrën e kuplarasë gati të gjithë drejtuesit e institucioneve të shtetit. Bardhi i shkretë as nuk ka ditur e as kuptuar gjë për famën dhe pushtetin e të birit! Ai poezi shkruan!
Prej vitesh, Ergys Agasi (Gysi) njihet botërisht si “koordinatori” i atyre të paligjshmëve, i të fortëve që sigurojnë vota dhe pushtet. Sot, ai nuk është thjesht një emër në thashethemet politike; ai është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga SPAK, si pjesë e një Organizate Kriminale.
Por Gysi nuk është thjesht një i arratisur. Ai është kthyer në “shantazhuesin” digjital më lëndues dhe më trembës për Edi Ramën, duke rivalizuar kokë më kokë me “armët” e të pandehurës tjetër të madhe, Belinda Balluku.
Videot dhe përgjimet ambientale të zyrës në Bllok të Gysit, të ndërthurura me ato të strukturës operacionale të Belës, janë një burim azmatik dhe shkatërrues për kryeministrin.
Aty, në ato regjistrime, gjenden:
Zyrtarë të rëndësisë së veçantë në momente komprometuese.
Biznesmenë të fuqishëm dhe klientë të qeverisë.
SPAK-u e di këtë histori në detaje. Edi Rama e di gjithashtu. Gysi e njeh mirë fuqinë e asaj që mban në duar. Vetëm baba Bardhyli mbase nuk e di, ose bën sikur nuk dëgjon lajmet. Ndaj, dhuna publike e Ramës duke sajdisur e lëvduar babanë e Gysit në Durrës nuk ishte nderim. Ishte një lutje dhe një paralajmërim njëherësh: Të ulim armët, të bëhemi bashkë kundër godinës te treni (SPAK)?!
Por skenari nuk është më në dorë të Ramës. Në lojë janë futur amerikanët dhe gjermanët, të cilët nuk tërhiqen. Përgjimet ambientale dhe jo vetëm janë asgjësuese për shumë kupola të pushtetit. Pyetja që qarkullon si makth është: A është edhe Linda Rama në ato përgjime? Gysi e di. Edi gjithashtu. SPAK-u patjetër. Dhe këtu nuk bëhet fjalë më thjesht për linjat e kokainës. Shumë sekrete të mbyllura nëpër USB-të e Gysit mund të jenë vrasëse për karrierat dhe lirinë e shumë nanjëzve.
Kontrasti mes festës së medaljeve në Durrës nëpër tryeza, ishte i madh me Mirlindën e AKSHI-t, që jepte llogari në SPAK për mbi katër orë para prokurorëve.
Durrësi sot nuk përfaqëson historinë e PS-së, por simbolet e saj të rënies:
Koncesionet korruptive dhe projekti i Alabarit.
Porti i kthyer në pikë strategjike për tranzitin e kokainës.
Bastet e zeza dhe kryegrupet mafioze që janë projektuar si makineria prodhuese e mandatit të katërt të Edi Ramës.
Kur një kryeministër kapet pas baballarëve për t’i bërë presion bijve të inkriminuar që mos t’i nxjerrin USB-të, fundi nuk është thjesht afër. Ai ka filluar. Dhe në këtë vaki politike, heshtja do të ishte e vetmja gjë dinjitoze që i ka mbetur Bardhyl Agasit. Paratë e Gysit nuk i ha as qeni! Dy gisht fytyrë dhe heshtja janë melhem për babën Bardhyl.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


