Shpërthen revolta e rinisë edhe në Shkodër dhe Elbasan
Protestat e nxënësve dhe studentëve po shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shkodra dhe Elbasani janë bërë pjesë e mobilizimit të të rinjve, të cilët po bojkotojnë mësimin dhe po kërkojnë reagim kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në Shkodër, një grup të rinjsh iu drejtua ambienteve të universitetit, ku u bëri thirrje studentëve të tjerë t’i bashkohen protestës dhe të bojkotojnë procesin mësimor. Gjatë tubimit, ata shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe brohoritën në kor “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Çohuni nga kafja!”, duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të mos qëndrojnë pasivë.
Ndërkohë, edhe në Elbasan ka nisur protesta e gjimnazistëve, të cilët vijojnë mobilizimin për të dytën ditë radhazi. Një grup nxënësish kanë lënë mësimin dhe janë mbledhur për të vazhduar kundërshtimin e tyre, në vijim të protestës së zhvilluar një ditë më parë.
Gjatë ditës pritet të shihet nëse lëvizjes në Elbasan do t’i bashkohen edhe gjimnazistë të tjerë, ndërsa reagimi i të rinjve po merr shtrirje përtej Tiranës.
Paralelisht, për sot është paralajmëruar protesta e katërt e madhe kundër qeverisë, në një klimë pakënaqësie dhe mobilizimi qytetar që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



